Në këtë periudhë të parafestës së pritjes së shenjtë—pritje e ngarkuar me psherëtimat e brezave dhe shekujve—kur netët janë më të gjata në kalendar, dhe zemrat njerëzore etshëm kërkojnë dritën shpirtërore, qëndrojmë me koka të përkulura dhe gjunjë të përthyer në pragun e një misteri kozmik: misterin e Lindjes së Krishtit. A e kuptojmë me të vërtetë çfarë do të thotë ta presim Fëmijën e Betlehemit?
Lindja e Krishtit nuk është vetëm një ngjarje historike dhe një festë e kalendarit kishtar; është një akt i përhershëm i zbritjes hyjnore, i dashurisë së Zotit që mishërohet në botën tonë reale dhe të papërsosur. Fjala e Zotit bëhet njeri, dhe jo në pallatet e sundimtarëve tokësorë, por në një shpellë të varfër. Kjo është padyshim një prej mistereve më të thella: Zoti i Gjithëfuqishëm shfaqet si një Fëmijë i pafuqishëm, por në atë Fëmijë të vogël dhe të pafuqishëm është fshehur e gjithë fuqia dhe drita që do ta transformojë botën.
Zoti u bë njeri. U bë si një prej nesh. Vuajti dhe ndjeu dhimbje me ne. Nga dashuria, Ai zbriti në shpellë për hirin tonë, pasi më parë banoi në barkun e një Gruaje dhe më pas u shtri në grazhd si një Foshnjë e mbështjellë. Po çfarë është shpella? Kafshë, grazhde, erë e rëndë, papastërti. Dhe pikërisht atje lindi Ai. Prandaj, të mos humbasim shpresën, të mos biem në dëshpërim. Përkundrazi, të përulemi, dhe në përulësinë tonë Ai do të na presë. Le të përulemi tani, më parë si Fëmija i vogël në Betlehem. Ai do të na mëshirojë nga shpella me përulësinë e Tij dhe do ta bekojë edhe përulësinë tonë. Ai e do përulësinë. Prandaj lindi si një Fëmijë në një shpellë të ndotur—për të na treguar përulësinë më të lartë. Dhe kush përule vetveten, i bëhet i ngjashëm me Zotin. Sepse, siç thotë Shën Joan Lestvichniku: “Përulësia është një stuhi qiellore që mund ta ngrejë shpirtin nga humnera e mëkatit në lartësitë e qiellit. Dikush njëherë pa madhështinë e saj të lartë në zemrën e tij dhe i mahnitur, pyeti për emrin e prindit të saj. Dhe ajo, me një buzëqeshje të qetë dhe paqësore, iu përgjigj: ‘Si guxon të kërkosh emrin e Prindit tim, kur Ai është pa emër? Nuk do ta zbuloj për ty, derisa ta pranosh Zotin brenda vetes.’”
Përulësia është një virtyt që buron drejtpërdrejt nga Ai. Prandaj, e përsërisim: ai që përule vetveten, bëhet i ngjashëm me Zotin. Sa e vështirë është për njeriun të përule veten! Por, me ndihmën e Zotit, do të përpiqemi çdo ditë. Le të mblidhemi të gjithë në kishë, si në shpellën e Betlehemit, dhe para syve tanë do të shfaqet Ai, i përuluri, në lavdi të madhe.
Kur Zoti zgjodhi shpellën dhe grazhdin, ku e kërkojmë Ne Atë sot? A e njohim Atë në të afërmin tonë, në të varfrin, në atë që është lënë mënjanë dhe harruar, në të vetmuarin, të plagosurin dhe të pikëlluarin? A ka vend në zemrën tonë për ta pranuar Atë, apo ajo është e mbushur me zhurmë, shqetësime dhe kotësi?
Lindja e Krishtit është një dramë dashurie. Zoti zbret në natën e kësaj bote, në errësirën e ekzistencës së padurueshme, në një terr që nuk është vetëm fizik jashtë nesh, por është këtu, brenda, në shpirtrat tanë, në frikërat, ankthin, frustrimet, mbylljet dhe egoizmin tonë. Krishti nuk vjen vetëm për të ndriçuar botën dhe për të krijuar një festë me drita dhe dhurata; Ai vjen, mbi të gjitha, për të ndriçuar errësirën brenda nesh. Ky është takimi që presim: jo euforinë festive, por shndërrimin, Dritën Hyjnore, forcën e dashurisë që transformon natyrën njerëzore.
Më shumë se kurrë, sot kemi nevojë për këtë transformim. Të mos lejojmë që festa e Ndriçimit të Lindjes së Krishtit të kalojë si një traditë e zakonshme, si një datë pushimi në kalendar. Le t’i japim mundësinë Krishtit të lindë—jo vetëm në Betlehemin e Judesë, por edhe në zemrat tona.
Çdo çast i kësaj periudhe parafestive është një mundësi për një takim të ri me Të, për një lindje të re. Të guxojmë të hapim zemrat tona për këtë Dritë, për Lindjen nga Lart që na vizitoi dhe që tejkalon të gjitha frikërat dhe ngushtimet, shndërron të gjitha dobësitë dhe na bën krijesa të reja. “Ja, e vjetra kaloi dhe gjithçka u bë e re.”
“Krishti po lind – lavdërojeni! Krishti nga Qielli – pritni Atë!” – kjo është thirrja e Kishës në këto ditë. Le të bëhemi më të ndritur, më të mëshirshëm, më të lirë dhe më të dashur. Krishti po vjen – le ta presim me qetësi lutjeje dhe me një dëshirë të gëzueshme. Le të jenë zemrat tona altari për Foshnjën Hyjnore të Betlehemit, mendjet tona një qetësi për Fjalën e Tij, dhe veprat tona – lavdi dhe mirënjohje për dashurinë e Tij.
†Episkopi i Antanisë, Parthenios, Abat i Manastirit të Shenjtë të Bigorskit (Fragment nga një sinaksë monastike 29.01.24)