Si do të mund pra ta zbusim inatin dhe zemërimin tonë ? Si do të mundim të shuajmë flakën e tij? Po t’ u hedhim një sy mëkateve tona dhe po të mendohemi se sa përgjegjësi të madhe kemi kundrejt Perëndisë, po të marrim parasysh se me zemërim nuk e dëmtojmë armikun, por veten tonë; po të sjellim ndër mend se duke u zemëruar, e kënaqim djallin, armikun tonë të madh, për hir të të cilit dhe për shkak të të cilit po i bëjmë keq vëllait tonë; po të zbatojmë këto, do të mundim ta zbusim dhe ta zhdukim krejt zemërimin.
Dëshiron, o vëlla, të jesh armik e hakmarrës? Të jesh armik, por armik i djallit dhe jo i vëllait tënd. Zoti na armatosi me zemërimin që ta përdorim si shpatë dhe ta ngulim jo në trupin e vëllezërve tanë, por në atë të djallit; në kraharorin e këtij, ngule shpatën thellë deri në dorezë, ose më mirë, fute brenda edhe dorezën vetë, dhe mos e nxirr kurrë, por mbaje aty përgjithnjë. Dhe shpatën e ngulim në trupin e djallit, vetëm atëherë, kur do të tregojmë dashuri e butësi kundrejt vëllezërve, dhe kur do të sillemi në mes tonë me paqe dhe urtësi. Le të shkojnë prapa diellit të hollat, lavdia dhe nderimet që na bëjnë bota; për mua në këtë botë, vëllai është gjëja më e vyer se çdo gjë tjetër.