Kush është i afërmi im?

Fjalimi i Lartëshenjtërisë së Tij, Peshkopit Antaniski z. Parthenij, thënë në Liturgjinë e Shenjtë të Dielën e Samaritanit të Mirë, më 27 nëntor viti 2022, verë e Zotit


Në emër të Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë!

Me ndihmën e Perëndisë, të dashurit e mi, nesër fillojmë agjërimin e bekuar të Krishtlindjes, me atë përgatitje tonën për festën e ndritur të Lindjes së Krishtit. Nga ana tjetër, Ungjilli i Shenjtë i sotëm përshtatet në mënyrë të përkryer me fillimin e agjërimit, sepse na flet për diçka thelbësore, pa të cilën nuk mund të ketë agjërim të përsosur: bamirësinë ose zbatimin praktik të urdhërave të Perëndisë.  

Ne e dëgjuam, shëmbëlltyrën e mrekullueshme që Zoti ynë Jezu Krishti ia tregoi një mësuesi i ligjit, domethënë një njohësi dhe mësuesi të shkëlqyer të Shkrimeve të Shenjta të Dhiatës së Vjetër, një prijësi popullor. Apostulli dhe ungjilltari Luka na informon për një detaj interesant – se mësuesi i ligjit, ndoshta në komplot me mësues të tjerë, farisenj dhe prijës, në fakt nuk donte të mësonte asgjë nga Zoti, por ta vinte në provë dhe më pas ta akuzonte dhe ta tallte atë përballë popullit. Dhe ja, u bë një mësues i ligjit, dhe duke e tunduar Atë, tha: ,,Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar përjetësinë?Padyshim një pyetje shumë e qëlluar, pyetje me vend, pyetje të cilën shpesh duhet t’ia parashtrojmë vetes. Dhe natyrshëm, Zoti, si i gjithëdijshëm, e dinte se ky njeri nuk ishte i sinqertë në pyetjen e tij, ndaj duke e ditur se ai është mësues i ligjit dhe interpretues i ligjit, e pyeti: ,,Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?“ Ai u përgjigj, duke cituar dy urdhërimet më të mëdha të dashurisë për Perëndinë dhe dashurisë për të afërmin. Dhe Zoti iu përgjigj: ,,U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh“. (Luka 10,26-28.).

Pa dyshim, për t’u bashkuar me Zotin, i Cili është jeta e përjetshme, duhet para së gjithash ta duam Atë me gjithë qenien tonë, e më pas të afërmin tаnë si veten tonë, duke treguar mëshirë dhe dashamirësi ndaj secilit nga njerëzit tanë. Në këtë mënyrë, duke e nderuar Zotin në altar në tempujt e Tij të shenjtë, por edhe duke i shërbyer në altar në zemrën e të afërmit tonë, ne rritemi në bashkim të plotë me Zotin, në hyjnizim.

Megjithatë, mësuesi i ligjit, duke dashur të justifikohej dhe të ekspozonte Jezusin para dëgjuesve, mes të cilëve kishte nga ata të cilët nuk ishin shumë të dhënë pas Tij, u përpoq t’i ngrejë një kurth, duke e pyetur: ,,Po kush është i afërmi im?“. (Lluka 10,29.) ,,Kush është i afërmi im?” Kujt duhet t’i bëj mirësi? Kë duhet të dua si veten time? A nuk duhet të jetë i afërmi im, bashkatdhetari im, hebre? Sepse ne hebrenjtë jemi populli i zgjedhur i Perëndisë, ne jemi fëmijët e Perëndisë. Të gjithë të tjerët janë të dëbuar, mëkatarë, të papastër, të degraduar, të klasit të dytë”. Pikërisht kështu mendonin hebrenjtë në atë kohë dhe këtu shtrihej kurthi që mësuesi i ligjit i vendosi Krishtit. Nëse Ai do të përgjigjej se çdo njeri është i afërmi ynë, me siguri të gjithë do ta akuzonin se nuk është një hebre i denjë, se është një tradhtar që nuk e do dhe nuk kujdeset për popullin e tij, nuk respekton interesat e etnikumit të tij dhe për rrjedhojë dhe të Zotit, dhe për këtë arsye meriton të shkishërohet dhe madje të guroset.

A nuk ju kujton kjo në shumë ,,patriotë” të sotëm, të cilët idhullojnë kombin dhe e adhurojnë si një idhull të lartë dhe shpërndajnë urrejtje, shpifje dhe fyerje në rrjetet sociale kundër secilit që nuk pajtohet me mendimin e tyre të cekët dhe të paqëndrueshëm? Ne shohim, për fat të keq, se ka shumë në Kishë që e vënë kombin në radhë të parë dhe mbi gjithçka, madje edhe mbi Zotin. Është një gabim i tmerrshëm, i cili shkakton tundime dhe goditje të mëdha në Kishë. Prandaj, tashmë në vitin 1872, në Tubimin e Shenjtë dhe të Madh në Kostandinopol, Etërit e dënuan etnofiletizmin, domethënë nacionalizmin në kishë si herezi. Për rrjedhojë, çdo nacionalizëm i Kishës është krejtësisht i gabuar dhe blasfemues. Kisha është një, e shenjtë, pajtimtare dhe apostolike. Karakteri i saj është universal, sepse të gjithë janë fëmijë të Perëndisë dhe të gjithë janë të thirrur në shpëtim. Dhe fakti që një Kishë ndahet administrativisht në hierarki më të vogla kishtare, bëhet për arsye baritore, me synimin për qëndrueshmëri dhe funksionim më të lehtë. Prandaj kanunet parashikojnë që çdo formacion shtetëror i veçantë të ketë një hierarki kishtare të veçantë, por në asnjë rast nuk duhet të jetë në përputhje me interesat kombëtare apo tokësore të dikujt, sepse është Kisha e të gjithë Ortodoksëve në shtetin e caktuar, dhe jo vetëm e një populli ose grupi të caktuar. Asnjë komb nuk ka ekskluzivitet te Zoti. Ortodoksia është universale, për të gjithë, pavarësisht se në cilin vend jeton dhe cilit komb i përket.

Ndër të tjera, për këto arsye, Zoti i tregoi mësuesit të ligjit historinë e Samaritanit të mirë, e cila, megjithëse është e frymëzuar nga përditshmëria e asaj kohe dhe në dukje është mjaft e thjeshtë, është ende plot kuptim të thellë, me teologji. I tha që në fund ai vetë të arrinte në përfundimin se kush ishte i afërmi i tij. Në atë kohë, siç e dimë nga historia biblike, Samaritanët ishin një popull i përbuzur nga hebrenjtë. Me siguri të gjithë e dini këtë histori nga Ungjilli: një burrë po udhëtonte nga Jeruzalemi për në Jeriko, por gjatë rrugës u sulmua nga disa grabitës, u rrah, u grabit dhe u la gjysmë i vdekur mëtanë rrugës. Një prift po kalonte në të njëjtën rrugë, e pa burrin në gjendje të vështirë, por e kaloi pa e ndihmuar. Gjithashtu edhe një levit. Levitët ishin gjithashtu shërbëtorë në tempullin e Dhiatës së Vjetër. Kështu që këta të dy nuk donin të kishin asgjë me njeriun të futur në telashe. Pastaj, rrugës kaloi një përfaqësues i atij populli të përbuzur, Samaritani. Ai e shikoi njeriun gjysmë të vdekur, i erdhi keq, zbriti nga kafsha me të cilën po udhëtonte, ia lidhi plagët të lënduarit, duke i derdhur verë dhe vaj, pastaj me të ardhurat e tij e dërgoi në një bujtinë, ku rregulloi dhe pagoi dy dinarë që të kujdeseshin për të, që edhe nëse shpenzonte pak më shumë, samaritani do t’i paguajë gjellëbërësit herën tjetër. Në të njëjtën kohë, ai bëri marrëveshje me gjellëbërësin privatisht dhe jo para të plagosurit, për të mos e turpëruar dhe për mos ta bërë të mos ndihej rehat.

Përballë këtij Samaritani të mirë, të dashur të mi, ne shohim Shpëtimtarin Krishtin, i cili erdhi për të shpëtuar dhe shëruar njerëzimin gjysmë të vdekur, që kishte kaluar nga shenjtëria në mëkat, nga Jeruzalemi në Jeriko. Ajo rrugë është, në fakt, udhëtimi historik i njeriut nga Adami te Krishti. Sa e mjerë ishte gjendja e racës njerëzore përpara ardhjes së Shpëtimtarit në këtë botë! Popujt janë krejtësisht të humbur, të hutuar, me zemra të ngurtësuara, të frikësuar, të pashpresë. Hebrenjtë, nga ana tjetër, si një popull i zgjedhur – krenarë dhe të arsimuar që janë të vetmit të drejtë, se janë të vetmit që i do Zoti dhe në thelb janë adhurues bosh, formalistë, mizorë, adhurues të verbër të shkronjës dhe të Ligjit, ndërsa jo të thelbit të tij. Prandaj, të gjitha kombet, nga pikëpamja shpirtërore, ishin në një gjendje të mjerë, gjysmë të vdekur. Dhe ja, Shpëtimtari, Samaritani ynë i Mirë, Mirëbërësi ynë, zbret në të njëjtën rrugë për të shëruar plagët e njerëzimit me dashurinë dhe mëshirën e Tij.

Pikërisht këtë tregojnë vera dhe vaji me të cilin Samaritani i fashoi plagët e burrit. Bujtina, nga ana tjetër, përfaqëson Kishën e Zotit. Të gjithë ne jemi sjellur këtu nga Krijuesi ynë në Bujtinën Hyjnore, në Kishën e Tij, ku shërimi ynë paguhet nga gjaku i Tij Hyjnor dhe shpëtimtar. Bekimi dhe mëshira e tij derdhen gjithmonë këtu. Këtu Ai na jep veten për jetën e përjetshme dhe i kupton dobësitë tona. I njeh dhe shëron të gjitha dhimbjet tona, të gjitha plagët, të gjitha traumat, të gjitha shqetësimet dhe hallet – të secilit prej nesh, sepse nuk ka njeri pa trauma dhe pa dhimbje në vetvete. Krishti i mëshirshëm erdhi, u bë njeri, i barabartë me ne në çdo gjë, për të na vërtetuar se na kupton në çdo gjë. Ai e di më së miri se çfarë është vuajtja, sepse ai vuajti më së shumti për secilin prej nesh. Siç thotë Apostulli i Shenjtë Pali: Është e qartë se Ai nuk erdhi për të ndihmuar engjëjt, por pasardhësit e Abrahamit; prandaj duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të ishte një kryeprift i mëshirshëm dhe besnik përpara Perëndisë, për të pastruar mëkatet e njerëzve. Sepse në atë që vuajti vetë, pasi u tundua, do të mund të ndihmojë edhe ata që tundohen (Hebr. 2,16-18.)

Në fund të Ungjillit të sotëm, Krishti e pyet mësuesin e ligjit: ,,Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?”. Ky, natyrisht, iu përgjigj: ,,Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij”.(Luka 10:36-37). E shihni, Perëndia në urtësinë e Tij e çoi atë në përfundimin se çdo njeri që bën mirë është i afërmi ynë. Pra, nuk duhet të përçmojmë asnjë fëmijë të Zotit në këtë botë, pavarësisht nga kombësia e tij dhe çfarëdo përkatësie tjetër që i dallojmë njerëzit. Ne nuk duhet të bëjmë asnjë ndarje dhe diskriminim, por t’i duam të gjithë, sepse çdo njeri në sytë e Zotit është fëmija i Tij dhe rrjedhimisht vëllai ose motra jonë.

Në fund Zoti i tha mësuesit të ligjit: ,,Shko dhe bëj të njëjtën gjë! Të gjithë jemi thirrur nga Zoti për të bërë mirë, për të treguar mëshirë. Si do ta bënit këtë? Duke pasur parasysh se Krishti është i pari që na bën mirësi dhe mëshirë çdo ditë, derdh mbi ne bekimin e Tij të pamat, atëherë nëse jam me Të, mbi të gjitha do të jem mirënjohës dhe do të përpiqem të veproj si Ai. Ai thotë në një vend tjetër në Ungjill: Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Prandaj ju dhashë një shembull për të bërë ashtu siç bëra me ju (Gjoni 13,14-15.). Zoti ka bërë gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë. Në kishë ka një shërim për të gjithë. Thjesht duhet të hapim zemrat tona, të përpiqemi të bëjmë më shumë mëshirë dhe mirësi, në mënyrë që edhe ne të jetojmë shërimin dhe ta marrim ilaçin në mënyrë efektive. Shko dhe bëj të njëjtën gjë, bëhu i krishterë në veprim, në praktikë dhe jo vetëm në dije dhe në formë. Ja, tani është një kohë e favorshme për të treguar mëshirë. Agjërimi i Krishtlindjeve. Ne do të shkojmë në kishë, do të lutemi, do t’i mësojmë njëri-tjetrit dhe gjithçka është shumë e mirë, sepse Kisha, e cila është kudo dhe në të gjithë universin, është bujtina e shpëtimit tonë. Por ne duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë vepra të mira në jetën e përditshme, në mënyrë që të jemi të krishterë të vërtetë. Vetëm nëpërmjet veprave mund të marrim dhe vendosim Krishtin në zemrën tonë. Plot mirënjohje ndaj Tij, që na jep jetë, ne bëhemi ndjekësit e vërtetë të Tij. Ai ringjalli paraardhësin Adamin dhe në personin e tij – gjithë njerëzimin e vdekur nga mëkati. Ai është Adami i ri, që shpëton, ringjall, që bën gjithçka, që ne të trashëgojmë jetën e përjetshme.Të mos harrojmë se qëllimi është pikërisht ky: të fitojmë jetën e përjetshme në Krishtin Jezus. Le të jetojmë me Të në gëzimin e përjetshëm, le të shkëlqejmë me Të në tryezën në Mbretërinë e Perëndisë. Atje nuk do të ushqehemi me kënaqësitë kalimtare, por me të mirat hyjnore të pamatshme dhe të pashprehura.

Zoti na dhëntë forcë që të mund të bëhemi të krishterë efektiv. Të lutemi që ai të na dhurojë të gjithëve ndriçim, mirësi dhe gëzim, që fillimisht këtë agjërim, e më pas festën e Lindjes së Krishtit, ta kalojmë në paqe, unitet dhe gëzim shpirtëror.

Amin.