Ekskluzivisht – Bisedë me Abatin e Manastirit Bigorski, Peshkopin z. Parthenij: Një njeri modest dhe mirënjohës sjell bekim, si për shpirtin e tij ashtu edhe për njerëzit që ka përreth

Интервјуто е објавено во/на:

Ekskluziviteti i bisedës me Abatin e Manastirit Bigorski, Peshkopin z. Parthenij, lidhet me vyrtytet e tij e jashtëzakonshme në çdo aspekt. Prandaj lindi dëshira për ta intervistuar, jo vetëm për lexuesit e portalit tonë – Mashki magazin, por edhe për gjithë të tjerët.

Manastiri, në të cilin vendin qendror e zë kisha kushtuar Shën Gjonit, ikona dhe reliket e të cilit janë mrekullibërëse, së bashku me objektet shoqëruese, përfshirë edhe tridhjetë anëtarët e vëllazërisë, në prani të një numri të madh besimtarësh. në vitin 2020 festoi mijë vjetorin e ekzistencës së tij, si pjesë e trashëgimisë kulturore maqedonase. Me të – gati njëzet e pesë vite, e ndoshta më shumë, udhëheq Lartëshenjtëria e tij , Peshkopi Antaniski z. Parthenij, i cili në kuadër të vizitës së tij të fundit në Jeruzalem, gjatë kremtimit të ditës së Kryqit, pati nderin të mbante në kokë Kryqin e Shenjtë, i cili do të shënohet për herë të parë në analet e KOM-PO. Më parë, ai shërbeu në Golgotë me priftërinj e atjeshëm, nga Greqia dhe nga Rumania. Natyrisht, detyrat e përditshme në Bigorski janë gjithashtu të pashmangshme, në pronën e së cilit ndër të tjera është edhe manastiri i grave në Rajçicë. Dhe liturgjitë (shërbimet për nder të Zotit) janë një lidhje e vërtetë shpirtërore me të.

Biseda është gjithëpërfshirëse. Kronologjike. Biseduam edhe për fëmijërinë, qëndrimin në Malin Athos, rindërtimin e manastirit Bigorski pas kthimit të tij nga Athos, për jetën monastike dhe për veçoritë e burrave të krishterë, të cilët identifikohen me ortodoksinë, dhe për vdekjen – si misteri më i madh i jetës (Herbi Brenan).., në tërësi. Ndërsa ne nuk i anashkaluam as mjetet e komunikimit masiv, sidomos rrjetet sociale, d.m.th. (keq)përdorimi i tyre i besimit dhe devotshmërisë për më shumë lexueshmëri, e për më shumë pëlqime.

MM: Krishti është figura qendrore në fenë e krishterë. Kur u shfaq dashuria Juaj për të, në fëmijërinë e hershme apo…? A mund të kujtoni kohën kur vendosët t’i përkushtoheni plotësisht Zotit dhe më vonë të shkoni në Malin Athos? Si e pritën prindërit vendimin Tuaj?

Peshkopi z. Parthenij: Zoti-njeriu Krishti është Guri këndor, themeli i besimit tonë dhe i jetës sonë, që duhet të jetë gjithmonë krishtocentrike. Bukuria dhe misteri i Krishtit, thjeshtësia dhe madhështia e Tij më tërhoqën ose më mirë ishte malli i zemrës sime që në vitet kur isha më i vogël, që nga koha kur mund të gjej kujtimet e mia më të hershme. Më kujtohet, për shembull, kur luanim me shokët e lagjes, unë gjithmonë isha prift; I merrja gjyshes një triko të thurur, e palosja në mënyrë që të shërbente si epitrakil. Gjyshja ime e ndjerë – Menka Fidanovska, mes tjerash një grua thellësisht besimtare dhe e urtë, ishte pa dyshim personi që në shpirtin tim ka rrënjosur fort dashurinë për Zotin Jezu Krishtin. Ajo kishte miq nga fqinjësia, qytetarë fisnikë të Manastirit, me të cilët mblidhej shpesh për shoqëri dhe bashkë bisedonin për Ungjillin, për festat e krishtera, për jetën e Shenjtorëve. Shumë nga ato biseda kanë mbetur përgjithmonë të gdhendura në kujtesën time. Dhe, keni parasysh se në atë kohë në shoqëri sundonte teoria ateiste e materializmit historik, pra socializmi pa zot, në të cilin besimi dhe Kisha ishin jashtëzakonisht të margjinalizuara dhe madje të ndaluara deri në një farë mase, dhe të folurit për Zotin konsiderohej diçka e prapambetur, jo e mirë, disident. Kështu, që në fëmijëri unë u përballa me atë dualizëm midis shpirtërores dhe materiales, midis besimit dhe mosbesimit. Mbaj mend, isha ende në kopsht kur dëgjova për herë të parë shprehjen: ,,Zoti nuk ekziston”. U ktheva në shtëpi duke qarë dhe u ankova menjëherë te gjyshja. Ajo më ngushëlloi me fjalët: ,,Mos u shqetëso, biri im, kjo nuk është e vërtetë. Ti gjithmonë dije se ka një Perëndi në qiell, i cili është Ati ynë dhe na do shumë”. Që atëherë, besimi im në Zot nuk është lëkundur kurrë. Edhe më vonë, kur të rriturit flisnin për shoqërinë komuniste, gjyshja ime thoshte: ,,Vendi ynë tani është në errësirë, në gënjeshtër dhe te populli ynë mbretëron një injorancë e madhe, por do të vijë koha kur gjithçka do të shndërrohet në pluhur. Një shoqëri pa Zot nuk mund të mbijetojë, nuk ka bekim”. Me sa mbaj mend, isha i vetmi në shoqëri që jetoja fetarisht dhe për këtë shpesh hasja në qortime nga të moshuarit dhe në tallje nga më të rinjtë. Një herë, për shembull, teksa isha në shkollë, kisha varur kryqin në qafë mbi bluzë, kështu që kur e pa mësuesi i fizikës, ai erdhi tek unë, ma shkuli me forcë, më tërhoqi nga flokët dhe filloi të më bërtiste se ishte turp të mbaja kryq, se Zoti nuk ekzistonte, se besimi në Të është diçka e pashëndetshme për të ardhmen e rinisë komuniste dhe floskule të tilla, tipike të asaj kohe. Megjithatë, asgjë nuk mund ta lëkundë besimin tim te Zoti. Që atëherë, tek unë u shfaq vendosmëria që kur të vinte koha, do të regjistrohesha për të studiuar për t’u bërë prift. Lavdi Zotit, kështu dhe u bë. U regjistrova në shkollën teologjike, me ndihmën e xhaxhait tim jashtëzakonisht të devotshëm, Dr. Dushan Hristov Konstantinov, një qytetar i respektuar dhe një shkencëtar shumë serioz dhe i njohur, i cili ndikoi pozitivisht te prindërit e mi, kështu që ata më lanë të studioja, të bëhesha prift. Gjatë kohës që studioja për Teologji, pata një interes të madh për monastizmin ortodoks; lexuam për të nëpër libra, me disa shokë të klasës e admironim dhe imagjinonim se një ditë edhe ne do të bëheshim murgj. Edhe ne e kishim atë bekim, që edukatori ynë ishte Atë Nektarij, Abati i tanishëm i Manastirit ,,Shën Naum Ohridski” ndërsa në atë kohë, mendoj, i vetmi murg në vend. Megjithatë, ne nuk dinim pothuajse asgjë për thelbin e monastizmit shoqëror.

Me këtë vepër engjëllore u njoha vërtet kur shkova për herë të parë në Malin Athos, diku nga mesi i viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Kur pashë atë pasuri shpirtërore të paçmim, atë bukuri dhe madhështi të shenjtë, zemrën time menjëherë e mbërtheu ai kopsht i mrekullueshëm i Virgjëreshës së Bekuar, siç edhe quhet Mali i Shenjtë (Athos), i zhytur në mundin dhe shenjtërinë monastike. Kur u thashë prindërve të mi, Boris dhe Zhivka se doja të shkoja në Athos për t’u bërë murg, natyrisht, hasa në rezistencë dhe keqkuptim. Edhe pse në atë kohë ata ishin njerëz të devotshëm, megjithatë, atëherë në vendin tonë nuk dihej asgjë për monastizmin, madje konsiderohej si diçka e keqe. Për t’i qetësuar para se të largohesha, u betova para një ikone të Nënës së Shenjtë se do të kthehesha pas një viti dhe se tani po shkoja të mësoj gjuhën greke dhe këndimin bizantin. Kështu me bekim më lanë të shkoja.

MM: Kur është fjala për Athosin, ku keni qëndruar – në cilin manastir? Në Hilandar apo në një tjetër? A do të na prezantoni jetën në të, shkurtimisht? Është asketik, apo jo!? Nën përkujdes të kujt ishit? Si ishin tundimet? A e keni zotëruar shkathtësinë e përpunimit të mitrave atje?

Peshkopi z. Parthenij: Në malin Athos qëndrova në manastirin e Shën Nikollajit, të quajtur Gregoriat, nën udhëheqjen shpirtërore të Jerondit tashmë të bekuar, Arkimandritit Georgi Kapsanis, i cili ishte edhe Abat i manastirit. Jeronditi Georgi ishte një person shpirtërisht jashtëzakonisht i fortë , një figurë e mrekullueshme për të gjithë Ortodoksinë e shekullit të 20-të. Një ithrat i së drejtës, dishepull dhe predikues bujar i përkushtuar i Krishtit, si me fjalë ashtu edhe me vepra, ai hapi portat e manastirit të tij për dashamirët e jetës monastike tek ne – që në atë kohë, duke marrë parasysh politikën dhe marrëdhëniet ndërshtetërore veçanërisht të vështira dhe të ndërlikuara, ishte pothuajse e pamundur. Por për gjyshin Georgij, padyshim, Krishti ishte mbi gjithçka në këtë botë, kështu që ai pa kushte pranoi disa të rinj nga Maqedonia e atëhershme socialiste për murgj në manastirin e tij. Prandaj atë e mbaj në zemrën time si një ikonë të shenjtë dhe do t’i jem përjetësisht mirënjohës. Ndër të parët që u nisëm për në Malin Athos ishin peshkopët tanë aktualë dhe vëllezërit e mi veçanërisht të dashur, Mitropoliti z. Naum Strumiçki dhe Peshkopi z. Klementi Heraklejski. Gjyshi Naum ishte i pari që shkoi në Grigoriat dhe me monastizmin e tij shumëvjeçare e të patëmetë u hapi rrugën të tjerëve dhe ishte shembull për të gjithë ne.

Natyrisht, jeta në Manastir ishte rreptësisht asketike, me shërbime të gjata të adhurimit, detyra të shumta dhe lexim lutjesh. Duhej ngritur herët pas mesnatë, shumë përpara agimit dhe fillonte shërbimi i adhurimit për disa orë me rradhë. Dita ishte e mbushur me detyra, pra aktivitete pune në të gjithë manastirin, dhe drejt mbrëmjes, përsëri një shërbim adhurimi. Gjatë netëve – lutja e pandërprerë e Jezusit në qelinë e modeste të murgut. Është interesante të përmendet se në atë kohë shumica e manastireve në Athos ende nuk ishin të furnizuar me energji elektrike plotësisht, kështu që në qelitë ne nuk kishim energji elektrike. Ne lexonim nën dritën e llambave të vajgurit, por edhe kjo nuk mund të zgjaste shumë, sepse tymi nga vajguri ishte veçanërisht mbytës dhe nëse do t’i ekspozoheshim për një kohë të gjatë, në mënyrë të pashmangshme do të kishim një dhimbje koke të tmerrshme. Rrjedhimisht, natën nuk mund të bënim gjë tjetër veçse të luteshim. Gjumi u reduktua në minimum, aq sa për të rikthyer, pak nga pak, forcën e trupit. Falënderoj Zotin që e kapa atë kohë sepse shprehija e lutjes dhe pasuria shpirtërore që grumbullova në malin Athos më ndihmuan shumë më tej në jetën time personale shpirtërore dhe natyrisht për ripërtëritjen dhe udhëheqjen shpirtërore të Bigorskit. Për sa i përket tundimeve, ato ishin të njëjta si për çdo murg: lufta me njeriun i vjetër mëkatar në vetvete, që prishet në epshet e rreme të kësaj bote, bëmat për të zotëruar pasionet dhe egon, domethënë asketizmi për të fituar përulësinë e bekuar.

Mjeshtërinë e punimit të mitrave nuk e mësova në malin Athos, por atë bujarisht ma përcolli Mitropoliti i ndjerë Gelasij nga Kisha Ortodokse e Bullgarisë, me origjinë nga Resnja. Me të kishim marrëdhënie të mira miqësore dhe ai, duke ditur dëshirën time për të themeluar një manastir për gra, më mësoi mjeshtërinë e punimit të mitrave, të cilën më vonë, kur u themelua motraria e Manastirit të Shën Georgij Fitimtarit në Rajçicë, ua dorëzova motrave, që ata me kalimin e kohës, ta përsosnin dhe të arrinin atë që kemi sot.

MM:  Si dukej Manastiri Bigorski, pas kthimit tuaj nga Mali Athos? Kur u bëtë murg? A mund të na tregoni në fakt se si rrodhën ngjarjet deri në vitin 2009, kur një pjesë e kompleksit mori flakë?

Peshkopi z. Parthenij: Me bashkëvëllaun tim të parë, Mitropolitin aktual z. Hilarion Bregalniçki, manastirin Bigorski e gjetëm  në gjendje të keqe. I braktisur në pamëshirën e kohës, gati pesë dekada pa një jetë monastike në të, ai kishte kushte shumë të vështira jetese. Tempulli ishte gjithashtu mjaft i shkretë, i papastër dhe i lënë mënjanë. Ikona mrekullibërëse e Shën Gjonit ishte plotësisht e errët dhe jashtëzakonisht e ndotur. Në altar nuk kishte as kryq e as Ungjill, domethënë nuk kishte gjëra elementare, që të bëhej shërbim adhurimi. Ikonostasi i famshëm u gëlltit nga dëmtuesit dhe u shkatërrua nga të gjitha papastërtitë. Mjafton të theksohet se në kohën e komunizmit bagëtitë mbaheshin në vetë kishën. Dhe konaqet, gjithashtu, nuk ishin në gjendje më të mirë. Në Pallatin e sipërm, për shembull, nuk kishte as energji elektrike, hidraulik dhe pajisje sanitare. Për gjithë këtë janë ruajtur dokumentacione fotografi dhe video, të cilat tregojnë qartë shkretimin e të gjithë kompleksit.

Qethja ime monastike u bë më 5 gusht 1995, në shërbimin e adhurimit, në mbrëmjen për nder të martires së shenjtë të Krishtit – Kristinës. U shugurova murg nga peshkopi im i nderuar kompetent, Lartëshentëria e Tij, Mitropoliti i Dibrës-Kërçovës, z. Timotej, me bekimin e të cilit erdha në Bigorski dhe u bëra jerondi i saj, e më pas abat.

Që në fillim, menjëherë u ngarkuam me shumë punë. Para së gjithash, duke pastruar tempullin. Fillimisht pastrova ikonën Mrekullibërëse të Shën Gjonit, duke i kërkuar një bekim prej tij dhe më pas gjithçka tjetër. Njëkohësisht, si jerond futa të njëjtin rend liturgjik që pashë kur jetoja në malin Athos. Shërbesat e gjata fetare nga njëra anë dhe puna e pafund në manastir nga ana tjetër, ishin vërtet tepër lodhëse për të gjithë ne, banorët e parë të Bigorskit të kohës së re. Them për të gjithë ne, sepse pas disa muajsh nga monastizmi im, Vëllazërisë iu bashkua bashkëvëllau ynë, Atë Dositeu, tani me gradën Arkimandrit, pastaj vitin tjetër Atë Makariu – shtylla të vërteta të vëllazërisë sonë, e pastaj edhe vëllezër të tjerë. Në fillim, vërtetë ishte padurueshëm vështirë, por bekimi i Zotit, i cili plotëson mangësitë tona, i ripërtërinte forcat tona. Nga këndvështrimi i sotëm, jam i binduer se pikërisht ato përpjekje të mëdha dhe ai vetëflijim i tillë nga ana jonë hodhën themelet e jetës shpirtërore të Familjes Bigorski sot.

MM: Zjarri ishte një sprovë e madhe, që shkaktoi edhe ndjenja të stuhishme. Sot manastiri shkëlqen nga bukuria. Sa veta e përbëjnë vëllazërinë, të gjithë shërbyesit (duke përfshirë edhe ata që janë në tundim) Dhe çfarë përfshin kompleksin? Për shembull, ndër të tjerave dhe biblioteka është e mahnitshme. A e përdorni? A ruhen librat e vjetër , dhe prej kur datojnë?

Peshkopi z. Parthenij: E gjithë vëllazëria jonë sot numëron tridhjetë anëtarë. Të gjithë ata kryejnë detyra të ndryshme në të gjithë kompleksin e manastirit prej 10.000 m2 sipërfaqe të shfrytëzueshme, ku zënë vendin e tyre: kisha katedrale kushtuar Shën Gjon Pagëzorit, konaku e Pallatit të Sipërm me qelitë manastike, kuzhina, furra e bukës, dy dhomat e ngrënies, dhoma e mysafirëve, sinodikoni i vogël dhe i madh, salla e madhe e ceremonive, zyra e manastirit, dhoma e rrobaqepësisë, lavanteria, infermieria etj.; Konaku Pallati i Poshtëm me katin e abatit, kapellën e festës – Lajmërimi për Hyjlindësen Më të Shenjtë, odën e peshkopit, verandën, dhomat e miqve etj.; Konaku Pallati Lindor me dhomat e murgjve dhe të miqve, kapellën e Shën Nikollës dhe, siç e përmendët, Bibliotekën e Bigorskit. Ai u shërben nevojave të Vëllazërisë, por edhe dashamirëve të interesuar të fjalës, studiuesve, shkrimtarëve etj. Koleksioni i vjetër që ruhet ende në bibliotekë përmban dorëshkrime dhe libra të vjetër të shtypur që datojnë nga shekulli i 17-të e këndej.

MM: Veprimtaritë e murgjve janë vërtet të shumta, të mëdha. Pa dyshim edhe tuajat. Si duket një ditë e zakonshme në manastir, atëherë kur nuk ka njerëz nga jashtë, kur nuk është festë? Në çfarë jeni më të përkushtuar? Eukaristi, hesikazmë, pikturim të ikonave…, cilat janë rregullat monastike?

Peshkopi z. Parthenij: Një ditë monastike fillon dhe mbaron me veprimtarinë kryesore të murgjve – lutjen. Zakonisht, ngrihemi çdo mëngjes në orën 5 ose pak më herët, duke filluar rregullin e lutjes, pastaj shkojmë në tempull për shërbesën e mëngjesit, e cila pasohet menjëherë nga Liturgjia e Shenjtë. Ne, në Manastirin tonë, e kemi atë bekim të madh të Zotit çdo ditë, pa përjashtim, për të përsosur Eukaristinë Hyjnore, që është sekreti mbi të gjitha sekretet, shërbesa qendrore e adhurimit në Kishën e Zotit dhe thelbi i jetës shpirtërore të çdo besimtari. Para vaktit të parë, ne shërbejmë Kanunin e lutjeve Përfaqësuesit tonë qiellor, Shën Gjon Pagëzorit. Pas vaktit të gjithë vëllezërve u caktohen detyrat e tyre, pra detyrat e tyre të shumta dhe të larmishme. Jeta e përgjithshme monastike është e strukturuar në mënyrë që të jetë në shërbim të Zotit dhe të të afërmive, me theksin te lutja. Kështu, edhe gjatë kryerjes së bindjes, theksi kryesor i mbetet lutjes. Murgjit vazhdimisht brenda vetes krijojnë lutjen e Jezusit, për të cilën gjatë monastizmit bëjnë një betim se nga mëngjesi në mbrëmje dhe, nëse është e mundur, gjatë gjithë natës, do të përpiqen ta thonë këtë lutje të shkurtër në formë, por krejtësisht të plotë në përmbajtje, e cila, meqë ra fjala, bazohet te hesikazma. Kështu, dita e punës së murgut fillon dhe mbaron me lutjen e Jezusit, kur ai tërhiqet në qelinë e tij të përulur dhe qëndron vetëm me Zotin, për heshtje dhe vigjilje lutjeje.

Po, ndër të tjera kemi edhe vëllezër që merren me pikturë ikonash dhe mozaik. Rregullat e manastirit udhëhiqen nga kushtetutat e lashta monastike, natyrisht, të përshtatura me kushtet dhe rrethanat në të cilat jetojmë.

MM: Filantropia juaj është e gjithanshme, gjithëpërfshirëse. Përveç se ndihmoni njerëzit dhe familjet që nuk mund të sigurojnë ekzistencën, ju ndihmoni edhe ata që janë të varur nga alkooli, droga dhe bixhozi. Në çfarë konsiston mjekimi- lutjet, shërbimi…? Dhe cilat janë marrëdhëniet me ta pas shërimit? Kontaktoni?

Peshkopi z. Parthenij: Rolin më thelbësor në trajtimin e të varurve, të cilët, meqë ra fjala, i quajmë të mbrojturit apo fëmijët e manastirit, e ka para së gjithash jeta shpirtërore. Zoti Krisht është mjeku më i lartë i shpirtrave dhe trupave tanë. Dhe, për të fitojmë bekimin e Tij, nevojitet një jetë në sekretet e shenjta të Kishës, përkatësisht: pendimi, rrëfimi, lutja, agjërimi, abstenimi, shërbimi dhe, si kurorë e gjithë kësaj – Kungimi i Shenjtë. Ata që do ta marrin seriozisht gjithë këtë dhe do të më hapen sinqerisht si te babai i tyre shpirtëror, shërohen shumë më shpejt dhe më lehtë nga pasionet shkatërruese. Shumë prej tyre do të më duan si prind dhe pasi të largohen nga këtu do të mbajnë një komunikim të ngushtë me mua dhe manastirin. Manastiri vazhdon t’u ndihmojë edhe më tutje në çdo drejtim.

MM: Nuk mund të mos i përmendim mrekullitë e Shën Gjonit. Çfarë do të veçoni prej tyre, si të jashtëzakonshme, në këto vitet e fundit?

Peshkopi z. Parthenij: Mrekullitë e Shën Gjonit me të vërtetë janë të shumta. Disa prej tyre, kur besimtarët i ndajnë me ne, i shkruajmë, e disa i publikojmë. Në faqen tonë Bigorski.mkd në rubrikën ,,Thesari shpirtëror” ka një rubrikë të veçantë me titull ,,Mrekullitë e Shën Gjonit”, ku vëllezërit publikojnë dëshmitë e njerëzve për mrekullitë e Shën Gjon Pagëzorit që ndodhin në manastirin tonë përmes ikonës së tij të famshme dhe përmes relikteve të tij të shenjta.

Për mua, natyrisht, mrekullia më e madhe që ndodh në manastirin tonë është shpërfytyrimi shpirtëror i shpirtrave të shumtë, të cilët, të venitur nga barra e mëkatit, ringjallen në një jetë të re, të përtërirë; ata kalojnë nga errësira e skllavërisë mëkatare në lirinë e dritës së Krishtit; nga melankolia dhe depresioni, kaloni në shpresë të gjallë; nga rënia morale dhe vdekja, ata dalin të shpërfytyruar në hare dhe gëzim.

MM: Sot idealizmi është dytësor dhe materializmi ka rëndësi parësore. Në të njëjtën kohë, paralajmërohet një mungesë e madhe, varfëri – inopi. E dukshme është arroganca e shumë njerëzve, në një kuptim më të gjerë. Si të ruajmë paqen shpirtërore? Çfarë është e rëndësishme për të?

Peshkopi z. Parthenij: Jam i bindur se zgjidhja e të gjitha problemeve ekzistenciale qëndron në Ungjillin e Krishtit dhe në zbatimin e tij praktik në përditshmëri, gjë që, natyrisht, është e mundur dhe e arritshme dhe shumë shpirtra e kanë praktikuar atë në jetën e tyre dhe kanë gjetur paqe të papërshkrueshme dhe qetësi dhe më në fund shpëtimin e përjetshëm. Shpëtimtari i njerëzimit, Zoti Jezu Krisht, tregon një alegori për një të pasur, fusha e të cilit kishte mbirë shumë. Por ai në vend që të mendonte për njerëzit rreth tij, të uriturit, të dobëtit dhe ata që kanë nevojë për ndihmën e tij, ai u bë shumë i pangopur dhe shqetësimi i tij i vetëm ishte se si t’i mblidhte frutat dhe t’i ruante vetëm për vete. Kështu, ai vendosi të rrënojë hambarët e vjetër dhe të ndërtojë të reja, më të mëdha, në të cilat vendosi thesaret që në fakt nuk ishin të tijat – sepse asgjë nga kjo botë nuk është e jona – por e Perëndisë. I pamend në lakminë e tij dhe në dëshirën e tij për rehati, ky njeri,në Ungjil i quajtur i pamend, në kuptimin e njeriut të paarsyeshëm, tha me vete:,,Shpirt, ke shumë të mira, të grumbulluara për shumë vite; pusho, ha, pi dhe gëzohu!” Megjithatë Zoti i tha:,,O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkoj dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?” (Luka 12,19-20) Dhe pa dyshim që është ashtu. Në garën për të mira materiale më të mëdha, për luks, për kënaqësi, njeriu i sotëm dëmton shpirtin e tij, duke e larguar atë nga lumturia e qetësisë dhe e ndërgjegjes së pastër. Në një rast thashë se qytetërimi modern në shumë aspekte i ngjan një bishe të tmerrshme, e cila vrapon pa mëshirë që të përbijë gjithçka që sheh; nëse nuk arrin të marrë gjithçka, atëherë shpërndan atë që ka mbetur, e shkatërron, e shkel nën këmbë. Ai e ktheu planetin në një varr masiv të natyrës, por edhe të shpirtit njerëzor. Më në fund, ajo bishë shkatërron veten. Prandaj, është e nevojshme që ne të kuptojmë se për një jetë të mirë dhe të lumtur, na duhet shumë pak. Gjithçka varet nga drejtimi i mendjes dhe dëshirat e zemrës. Le të frenojmë pak veten në dëshirat tona të panevojshme dhe të dëmshme, le ta mësojmë mendjen tonë që të prodhojë mendime të mira dhe pozitive dhe të falënderojë Perëndinë edhe për gjërat më të vogla edhe për dhuratat më të vogla. Një njeri modest dhe mirënjohës sjell bekim si për shpirtin e tij ashtu edhe për njerëzit përreth tij.

MM: Etika në krishterizëm është veçanërisht e rëndësishme. Cilat janë karakteristikat e burrave të krishterë, të cilët identifikohen me ortodoksinë, çfarë duhet të kenë? Cili është mendimi Juaj për vlerat dhe normat morale – respektohen ato apo mbizotëron natyra e dyfishtë e njeriut?

Peshkopi z. Parthenij: Për fat të keq, nuk duhet të përpiqemi shumë për të parë se sot parimet morale të krishtera, të cilat janë rritur në universale dhe civilizuese, shkelen dhe relativizohen në mënyrë të pamatur. Kjo, nga ana tjetër, shkakton kaos në marrëdhëniet ndërnjerëzore, krijon një klimë mosbesimi dhe ftohje, shkatërron bashkimin më të shenjtë në shoqëri – martesën. Dhe, pa martesë, në kuptimin e krishterë, pa atë bashkim të shenjtë mbi të cilin mbështetet struktura dhe mirëqenia e përgjithshme e një shoqërie, rrjedhimisht e individëve njerëzore, nuk do të mund të flisnim për diçka humane, të shëndetshme, serioze. Shikoni përreth jush dhe menjëherë do të vini re se sa janë shumëfishuar anomalitë dhe vuajtjet e ndryshme mendore te njerëzit, duke filluar nga ankthi dhe krizat e panikut, deri tek llojet më të rënda të depresionit.Arsyeja kryesore për këtë qëndron në largimin dhe braktisjen e ligjit të Zotit në një nivel të përgjithshëm. Thjesht, një person nuk mund të jetojë në kundërshtim me urdhërat e Krishtit për dashuri, pastërti, modesti dhe vetëkontroll dhe të jetë i përmbushur dhe i lumtur nga brenda. Siç thotë shenjtori i famshëm bashkëkohor i kishës ortodokse, i nderuari Paisiu nga Mali Athos: ,,Sot njerëzit kanë gjithçka, por kanë edhe pikëllim, sepse nuk e kanë Krishtin”. Si përfundim i gjithë kësaj, mesazhi im për burrat ortodoksë është para së gjithash që të vendosen në ,,njohjen e Birit të Perëndisë, në gjendjen e një njeriu të përsosur, deri në masën e moshës së plotë të përsosjes së Krishtit”. (Efes. 4,13), ashtu siç na këshillon të gjithëve Shën Apostulli Pavle, që të mbajnë të shenjtë martesën e krishterë, e cila nuk është një marrëveshje ligjore midis dy individëve, por, mbi të gjitha, një institucion hyjnor. Në fakt, martesa midis një burri dhe një gruaje, siç e kemi njohur prej shekujsh, është një përfitim qytetërues pikërisht nga krishterimi. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta ruajmë atë, nëse duam të shpëtojmë dhe ruajmë civilizimin tonë. Dhe ne do ta ruajmë atë vetëm përmes dashurisë vetëmohuese. I njëjti Apostull, i cili në fakt shprehu fjalët më të bukura për martesën, thërret: ,,Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të” (Efes. 5,25). E njëjta gjë, natyrisht, vlen edhe për gratë. Pra, Zoti i thërret bashkëshortët që ta duan njëri-tjetrin me dashurinë e Krishtit. Është ajo dashuri, Hyjnore, vetëmohuese, e vërtetë dhe e qëndrueshme, ajo është përgjigja dhe zgjidhja për të gjitha problemet dhe sfidat.Natyrisht, është shumë e rëndësishme ruajtja e dinjitetit, rritja dhe edukimi i një personi fisnik, i moralshëm dhe që lutet, në erudicionin dhe veçanërisht në virtytin e abstenimit, që është përgjigja ndaj shumë veseve në ditët e sotme.

MM: Çështja e vdekjes është e pashmangshme, përfshirë edhe frikën nga ajo. Irlandezi Herbi Brenan thotë se në fakt ajo është misteri më i madh i jetës. Cili është këndvështrimi juaj? Interpretimet janë të ndryshme, se trupi vdes, por shpirti jo, shpirti që interpretohet si energji etj.

Peshkopi z. Parthenij: Fillimisht, jam dakord me mendimin e shkrimtarit dhe filozofit irlandez Herbi Brenan. Pa dyshim, vdekja ka qenë gjithmonë një mister i madh për njeriun. Tanatologjia depërton thellë në pjesën njohëse të shpirtit, disa here edhe sundon me të. Nuk ka pothuajse asnjë besim apo sistem filozofik që nuk është marrë me misterin e vdekjes. Ky problem përshkon të gjithë trashëgiminë filozofike dhe letrare të njerëzimit dhe nuk do të ishim tepër të guximshëm po të thonim se historia e letërsisë është në thelb historia e çështjes së vdekjes. Në veprën më të vjetër të ruajtur të letërsisë botërore, ,,Eposi i Gilgameshit”, tema kryesore është pikërisht vdekja; me ftohtësia e saj ndeshet edhe Odiseu kur, duke ndjekur këshillën e magjistares Kirka, zbret në botën e nëntoksore. Orfeu, këngëtari legjendar, do të luftojë me guxim vdekjen dhe do të bëjë shumë për ta nxjerrë Euridikën e tij të dashur nga bota e hijeve, por në fund do t’i duhet ta lërë përgjithmonë në të… Dhe ,,Komedia Hyjnore” e Dantes merr vend në mbretërinë e hijeve… ,,Hamleti” i Shekspirit trajton edhe luminimin apo vdekjen: çfarë tjetër mund të përfaqësonte monologu ,,të jesh apo të mos jesh”, përveç çështjes së përjetshme të jetës dhe vdekjes? Me të do të merren edhe Vladimiri dhe Estragoni, protagonistët e absurditetit të Beketit, duke pritur Godon dhe duke menduar nëse do të varen apo do të jetojnë dhe, meqë është njësoj, duan të shkojnë diku, por nuk lëvizin nga vendi… Dhe çfarë është e ndryshme në këtë drejtim do të mund të themi për të gjitha veprat e tjera, emanacionet e këndvështrimit njerëzor të vdekjes, duke filluar nga libri egjiptian ,,Libri i të vdekurve”, tibetiani Bardo Todol, e deri te ,,Cizif” nga Kami dhe ,,Dasein” i Hajdegerit? E gjithë letërsia serioze botërore, që nga fillimet e saj deri në ditët e sotme, pyet se cili është kuptimi i ekzistencës njerëzore në një botë përplot  me vdekje. Këtë gjendje të tmerrshme të njeriut e ndjeu me trishtim edhe Zoti-njeriu, Zoti Jezu Krisht, kur qau për mikun e Tij Llazarin, i cili tashmë kishte katër ditë që ishte në varr dhe trupi i tij tashmë kishte filluar të ndjente pasojat e vdekjes. Duke qarë për të, Krishti qau mbi çdo njeri, të krijuar për pavdekësi, por të zhytur në vdekshmëri. Thirrja e Krishtit është prova më e fortë e tragjedisë në të cilën ra raca e Adamit. Por me Mishërimin e Tij të papërshkrueshëm, me vuajtjen shpëtuese dhe me Ringjalljen jetëdhënëse, Birin dhe Fjalën e Perëndisë, ,,me vdekjen e mundi vdekjen”, dhe së bashku me Veten ringjalli Adamin e rënë, pra çdo qenie njerëzore. Koha e librave të vdekjes ka përfunduar dhe koha e Librit të të gjallëve është përmbushur. Krishti nuk është vetëm jeta, por edhe e vërteta. Ai është thirja e botës nga gënjeshtra në të cilën u hodh nga ndarja nga Zoti, domethënë vdekja. Vdekja tregohet se është e kundërta jo vetëm e jetës, por edhe e së vërtetës. Prandaj, jeta reale nuk është ajo biologjike, por marrëdhënia personale me Zotin. Ai që është i bashkuar me Krishtin ka kaluar nga vdekja në jetë. Së pari me shpirtin, dhe më pas, në Ringjalljen e Përgjithshme dhe me trupin, kur trupat e të gjithë të vdekurve do të rikrijohen dhe shpërfytyrohen, të ringjallen nga kalbja, për t’u shfaqur në Gjykim. Dhe Ringjallja e Krishtit është, pa dyshim, fakti më i besueshëm dhe më i dëshmuar në historinë e njerëzimit. Krishtin e Ringjallur e kanë parë dhe u dëshmua nga shumë dëshmitarë, shumica e të cilëve dhanë jetën e tyre për këtë të vërtetë unike. Ai dëshmohet edhe sot nga shpirtra të shumtë, të shpërfytyruar, fisnikëruar, të lumtur dhe të ndriçuar prej Tij. Nëse diçka nuk është e vërtetë, ajo nuk mund të ketë fuqinë për të ndryshuar rrënjësisht njerëzit dhe për t’i ringjallur ata. Dhe, ja, Zoti Jezu Krisht, pas vdekjes së Tij dhe me Ringjalljen e Tij, ndryshoi pa imponim botën dhe deri më sot Ai në heshtje ringjall dhe shpërfytyron shumë qenie njerëzore.


Blic pyetje

MM: A mund të na thoni se cili është kuptimi i emrit Parthenij? Ajo lidhet me partheninë greke (virgjëria) – epiteti i përhershëm i metropolit grek? Interpretimi juaj…

Peshkopi z. Parthenij: Emri Parthenij rrjedh nga emri dhe mbiemri παρθένος (parthenos) i greqishtes së lashtë që do të thotë virgjin/virgjine ose i/e virgjër. Vërtetë, emri Παρθένος në Heladën antike ishte një epitet i perëndeshës së lashtë greke Atena, e cila konsiderohej mbrojtëse e virgjërisë. Mirëpo, në epokën e krishterë ai u bë pjesë përbërëse, pothuajse si emër i dytë i Shën Marisë dhe gjithmonë Virgjëresha Mari, dhe për nder të saj u përhap si emër personal në të gjithë botën e krishterë, por edhe te ne. Sa për mua personalisht, kur u bëra murg, emrin Parthenij ma ka vënë peshkopi im i nderuar z. Timoteu, për nder të Shën Parteniut të Lampsakut, por edhe për faktin se disa abatë dhe klerikë të rëndësishëm të Manastirit Bigorski gjatë historisë janë quajtur pikërisht kështu. Kështu, ky emër dikur përdorej shumë shpesh në zonën e Mjakut.

MM: Ars amatoria, dmth. arti i dashurisë – jam kurioz, si e interpretoni? Cili është thelbi i tij? Perëndia është dashuri, apo jo!?

Peshkopi z. Parthenij: Më lart folëm për dashurinë si parimi më i lart në jetë. Nuk mund të shtoja këtu asgjë më të zgjuar dhe sublime, veçse të përsërisja fjalët e Palit Hyjnor, i cili, duke folur për dashurinë e mishëruar, të Krishtit Perëndi, thotë: ,,Dashuria është e durueshme; plot mirësi, dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ndalet kurrë…” (1 Kor. 13,4-8). Dhe se Perëndia është padyshim dashuri, shkruan edhe Apostulli i Dashurisë, Shën Gjon Teologu, i cili pa dhe dëshmoi se ,,Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të” (1. Gjoni 4,16). Kështu, dashuria, e vërtetë, shpirtërore, vetëmohuese, është shenja me të cilën njihen pasuesit autentikë të Krishtit. Ai vetë thotë:,,Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13,35). Së fundi, dashuria do të jetë shenja me të cilën Zoti do të na njohë për në përjetësi.

MM: Pavarësisht se sa i zënë jeni, a gjeni kohë për të bërë mitra? Apo  tërësisht punën ua keni besuar murgeshave në Rajçicë? Ka disa lloje, cilat janë më të vështirat për t’u bërë?

Peshkopi z. Parthenij: Siç e kam thënë tashmë, detyrën për të bërë mitra e kam dorëzuar tërësisht në duart e motrave. Unë iu ndihmoj vetëm me këshilla dhe sugjerime për kombinime kur bëjnë disa mitra më komplekse.

MM: Estetika është pjesë e natyrës Suaj, është e dukshme ndjenja Juaj e zhvilluar për të bukurën, pashmangshëm edhe dashuria për muzikën . A ishte iniciativa juaj për t’iu bashkuar këngës kishtare dhe Filarmonisë, e cila rezultoi me disa koncerte? Nga ana tjetër, me sa di unë, të kënduarit sipas neumeve (notave) është karakteristikë e murgeshave në Rajçicë. A e zotëroni këtë këngë të lashtë?

Peshkopi z. Parthenij: Që kur isha fëmijë, më lindi një dashuri për këngën kishtare lindore dhe muzikën bizantine. Më kujtohet, në shtëpi në Manastir, në radio kapnim frekuenca nga disa stacione greke që transmetonin shërbime adhurimi nga tempujt vendas ose transmetonin muzikë bizantine. Pastaj, kur shkova në malin Athos, vëllezërit atje më mësuan gjërat bazë, të lexoja neume dhe të këndoja sipas tyre. Kur erdha në Bigorski, futa menjëherë këngën tonë të lashtë dhe tradicionale ortodokse lindore. Gjyshi Naum bëri të njëjtën gjë në manastiret që janë nën udhëheqjen e tij shpirtërore. Them e jona, sepse në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, nga toka e Maqedonisë kanë lindur krijues, mbledhës dhe reformues të shumtë dhe të njohur të kësaj kënge kishtare. Kemi edhe shembuj kur edhe këngët  popullore, botërore janë regjistruar me sistemin e notave bizantine. Me kalimin e kohës, pra, kënga kishtare lindore u transferua nga manastiret tona në tempujt e qytetit, u formuan kore dhe dikur studiohej si lëndë në shkollën e mesme teologjike. Ndërkohë, manastiri ynë dërgoi studentë për t’u shkolluar në shkollat e njohura, të drejtuara nga protopsaltë të shquar dhe me përvojë, në Athinë dhe Selanik. Ata studentë u kthyen këtu si mësues të licencuar. Gjithashtu, ne kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me shumë psalte të shquara të Ortodoksisë dhe shpesh ndodh që ata dhe koret e tyre të vijnë këtu ose ne t’i vizitojmë diku për një shërbim adhurimi me korin e manastirit tonë. Këndimi kishtar lindor është, në të vërtetë, mjaft kompleks dhe mund të thuhet se përfaqëson një shkencë të tërë, prandaj kërkon përmirësim, studim dhe praktikë të vazhdueshme.

Nga ana tjetër, synimi i koncerteve të muzikës dhe këngës bizantine, të organizuara nga manastiret tanë – Bigorski dhe Rajçicë, ishte që përmes një manifestimi të pazakontë shpirtëror-muzikor, në mënyrë të pazakontë dhe tërheqëse, t’i afrohej popullit përjetimi unik dhe i thellë i shërbimëve adhurimi dhe liturgjive të Javës së Shenjtë. Karakteristikë e këtyre koncerteve ishte se për herë të parë në historinë e muzikës maqedonase u bë orkestrimi filarmonik i këngëve antike ortodokse lindore.

MM: Për në fund, mjetet e komunikimit masiv, veçanërisht rrjetet sociale, janë plot rekomandime, d.m.th. tekste të shkruara për zgjidhjen e menjëhershme të problemeve, lutje për një gjë ose një tjetër, për atë që nuk duhet bërë në një festë, etj. Si mendoni, a është një (keq)përdorim i besimit dhe i devotshmërisë për më shumë lexueshmëri, për më shumë pëlqime? Në mungesë të etikës, cila është këshilla Juaj për lexuesit, në përgjithësi?

Peshkopi z. Parthenij: Unë kam folur shumë herë në predikimet dhe intervistat e mia për pasojat e rënda për shëndetin shpirtëror nga keqpërdorimi me rrjetet sociale. Dhe në të gjitha rastet theksoja se njerëzit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, përzgjedhës dhe jashtëzakonisht selektiv në lidhje me informacionin që nxjerrin nga interneti. Pra, jo çdo faqe apo profil që ka ikona dhe tekste ,,ortodokse” – është vërtet ortodokse në përmbajtjen e saj. Sot me rrjetet sociale, çdo individi, qoftë i ftuar apo jo, qoftë profesionist apo jo, i jepet një hapësirë publike për t’u shprehur pa asnjë kufizim. Ose, siç e thotë shumë troç shkrimtari dhe semiotiku italian Umberto Eko, ,,mediat sociale u japin  të drejtën idiotëve të shprehin mendimet e tyre, të cilat më parë mund ta bënin vetëm në një lokal, pas një gote verë, pa dëmtuar shoqërinë… Por, tani kanë të njëjtën të drejte të flasin si edhe nje nobelist. Ky është një pushtim idiotësh”. Kjo është arsyeja pse duhet një vigjilencë e madhe, sepse në hapësirën e mediave sociale ka një numër mjaft të madh të njerëzve me çrregullime mendore dhe psikologjike, sociopatë të ndryshëm, skizofrenë fetarë, profetë dhe mësues të vetëshpallur, njerëz injorantë, njerëz plot urrejtje dhe zili. Profilizimi i tyre me ikona ortodokse dhe citate nga shenjtorët dhe jerondët, natyrisht, nuk i bën ata besimtarë të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Madje ka nga ata që abuzojnë me emrin apo institucionin e dikujt, ndaj shkruajnë se gjoja postimet janë me miratimin dhe bekimin e tyre. Prandaj, këshilla ime për lexuesit është që kur bëhet fjalë për çdo gjë që ka të bëjë me besimin, të informohen dhe edukohen nga faqe dhe profile zyrtare dhe të verifikuara, të menaxhuara nga persona apo institucione shpirtërore, serioze dhe të dëshmuara, qofshin priftërinj, manastire apo dioqeza. Natyrisht, edukimi më i mirë për spiritualitetin fitohet në tempull, në Liturgjinë e Shenjtë, si dhe nga predikimet e klerikëve me përvojë, përmes leximit të Shkrimeve të Shenjta, veprave dhe jetës së shenjtorëve dhe, natyrisht, nëpërmjet lutjes dhe veprave, të cilat i themelohen dhe plotësohen nga bekimi i Perëndisë.

Igor Llandsberg

Fotografitë: Stefan Raihl/Arkivi i Manastirit Bigorski