(VIDEO) Teofania në Rostushë dhe në Radikë

Erdhi dita e Zbulesës hyjnore. Dita në të cilën Perëndia jo vetëm që iu shpall njeriut, por hyri sërish në histori, për ta shndërruar atë nga brenda. Sot qiejt hapen jo si një shenjë e largët e kohërave të lashta, por si një realitet hirplotë që prek realisht jetën njerëzore. Sot zgjohet shikimi shpirtëror i njeriut për dritat qiellore. Sot na ndriçoi për njohjen e Perëndisë drita trisolare e Diellit të vetëm të drejtësisë: Ati dhe Biri dhe Shpirti i Shenjtë, Trini Njëqenësore dhe e Pandarë.

Në këtë ditë, lumenjtë e hirit dhe të ndriçimit nuk derdhen vetëm mbi ujërat tokësore, por edhe mbi zemrat e besimtarëve, të cilët me dashuri dhe zell u përgatitën për këtë festë të madhe të pastrimit dhe ripërtëritjes së gjithanshme. Në lumin Jordan, Biri i Perëndisë, për hirin tonë, pranon të pagëzohet nga dora e shërbëtorit të Tij, Shën Gjon Pagëzorit, dhe pagëzohet jo për t’u pastruar, por për të shenjtëruar ujin, krijesën dhe njeriun, dhe për t’ia zbuluar botës misterin e Trinisë së Shenjtë.

Sipas traditës, edhe këtë vit festa e ndritshme e Teofanisë u kremtua nga bashkësia jonë monastike së bashku me popullin e shumtë të mbledhur në tempullin e Hyjlindëses së Shenjtë në fshatin Rostushë. Atje, në një bashkim lutës, si një Kishë dhe një Trup i Krishtit, besimtarët u mblodhën rreth Kupës së Shenjtë, për të shijuar jetën e ripërtërirë që dhurohet në Eukaristinë Hyjnore. Liturgjia e Shenjtë e Shën Vasilit, e kryesuar nga Jeronda ynë i dashur dhe igumeni, Episkopi i Antanisë z. Partheni, ishte vërtet qendra dhe burimi i gjithë kremtimit festiv. Ishte një pamje e jashtëzakonshme dhe e bekuar të shihej se si tempulli në Rostushë u mbush përplot me besimtarë, të cilët nxituan të marrin pjesë të gjallë në Festën e Dritave dhe të Teofanive Hyjnore. Fytyrat e gëzuara, bashkimi lutës dhe pjesëmarrja e përbashkët ishin dëshmi e atyre epifanive të heshtura e personale që lindin në zemrën e çdo njeriu dhe që e kanë fillimin e tyre të përbashkët në Teofaninë e Jordanit.

Pas përfundimit të Liturgjisë së Shenjtë, nga tempulli i Hyjlindëses, me një liti të madhërishme lutëse, u nisëm drejt ujërave të rrëmbyeshme të Radikës. Ecja drejt lumit, me lutje dhe lavdërim, ishte një lloj vazhdimi i bashkësisë liturgjike: Kisha doli nga tempulli për të shenjtëruar natyrën, për të dëshmuar se bota është e thirrur të bëhet vend i pranisë së Perëndisë. Mbi urën e Radikës, Jeronda kreu ritin e Madh të Bekimit Teofanik të Ujërave dhe vendosi Kryqin e Nderuar në ujërat e shenjtëruara, si shenjë se hiri i Krishtit prek dhe shndërron çdo rrjedhë të jetës njerëzore dhe natyrore.

Atje, rreth katërqind vetë, me dridhje dhe pritje të zjarrtë, e prisnin bekimin e Hierarkut, në çastin kur Kryqi i Nderuar u zhyt në ujërat e shenjtëruara. Nderin për ta nxjerrë Kryqin nga Radika e pati njëzet e trevjeçari Milko Bozhinovski nga Rostusha, i cili me gëzim të madh pranoi bekimin dhe lutjet e Jerondës sonë, ashtu si edhe të gjithë ata që u përfshinë në këtë përpjekje të mirë dhe të gëzueshme. Edhe këtë vit, dhurata të përshtatshme për kryqnxjerrësin e bekuar siguruan miku ynë i nderuar z. Hari Lokvenec dhe kryetari i Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, z. Oner Jakupovski.

Në shërbesën e shenjtë mori pjesë edhe Shkëlqesia e Tij, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Denion Mejdaní, i cili ndau me ne gëzimin e kësaj feste të madhe të krishterë, duke dëshmuar se Teofania nuk është vetëm një ngjarje kishtare, por edhe një ngjarje thellësisht njerëzore dhe bashkësore.

Kështu, edhe kjo Teofani, përmes Liturgjisë së Shenjtë, litisë dhe shenjtërimit të ujërave, na u zbulua si një ngjarje e gjallë e Kishës së Perëndisë, si një festë në të cilën njeriu dhe natyra, të ndriçuar nga drita Trinitare, e përjetuan hirin e ripërtëritjes.

Sot i është zbuluar botës drita Jote, o Zot, dhe u shënua mbi ne, që me mendje të ndriçuar të këndojmë: erdhe dhe u shfaqe, o Dritë e Papërqasme.
(Kondak i festës)