Kulti i Shën Naumit është përhapur edhe në Shqipëri, ku atij i janë kushtuar shumë ikona dhe afreske. Në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë ndodhet një ikonë e Shën Naumit, e pikturuar nga ikonografi Nikolla Guga në vitin 1759.
Afreske të Shën Naumit gjenden në anën jugore të kishave “Shën Atanasi” dhe “Shën Nikolla” në Voskopojë. Një tjetër afreskë e tij ndodhet në kishën e Shën Mëhillit në të njëjtin qytet.
Një ikonë e Shën Naumit ndodhet edhe në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Shipckë. Në kishën “Shën Kozmai dhe Damjani” në Vithkuq të Korçës, ndodhet një afreskë e Shën Naumit ku ai paraqitet bashkë me Nikodhin Vithkuqarin.
Shën Naumi është pjesë e kultit të shtatë shenjtorëve sllavë, të cilët janë të pikturuar në shumë kisha në Shqipëri. Afreska më e vjetër që pasqyron kultin e “Shtatë Shenjtorëve” (Οι άγιοι Επτάριθμοι) ndodhet në manastirin e Shën Naumit. Kjo afreskë daton nga viti 1806 dhe është punuar nga piktori Terpo Zografi.
Një ikonë e shtatë shenjtorëve ndodhet në Muzeun Onufri në Berat. Ikona është pikturuar në vitin 1812 nga Joan Çetiri. Në manastirin e Ardenicës në Fier ndodhet një afreskë me përmasat 1.5 x 2 metra që paraqet shtatë shenjtorët sllavë. Afreska është pikturuar nga Kostandin dhe Athanas Zografi në vitin 1744.
Afreska të tjera me shtatë shenjtorët sllavë mund të gjenden në kishat e Libofshës dhe Vanajt në Muzakaj. Një afreskë ndodhet në manastirin “Shën Pjetri dhe Pali” në Vithkuq, dhe daton nga viti 1764. /Andre Lukani