Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan, u zgjodh dje nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si Kryepiskop i ri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Intronizimi i tij do të bëhet më 29 mars.
Mitropoliti Joan konsiderohet një bir shpirtëror i Kryepiskopit të ndjerë, Fortlumturisë së Tij Anastasi. Ai lindi me emrin Fatmir Pelushi në Tiranë, më 2 janar 1956, në një familje që i përkiste traditës bektashiane.
Në rininë e tij, gjatë periudhës së persekutimit të pamëshirshëm fetar në Shqipëri (1979), u pagëzua fshehurazi nga prifti heroik Jerondi Kosma Kiria, i cili më vonë u bë ipeshkëv i Apolonisë, dhe iu bashkua grupit të vogël të Kishës së Persekutuar. Studioi psikologji në Universitetin e Tiranës dhe nga viti 1979 deri në 1990 punoi në repartin e rehabilitimit të Spitalit Psikiatrik të Tiranës, i specializuar në terapi pune për pacientët. Në vitin 1990 emigroi fillimisht në Itali dhe më pas në Boston, SHBA, ku me bursën e komunitetit shqiptar vazhdoi studimet teologjike në një shkollë teologjike ortodokse.
Më 27 shkurt 1994 u dorëzua diakon, ndërsa më 4 dhjetor të po atij viti u dorëzua prift. Në vitin 1995, me propozim të Kryepiskopit Anastasi, ai vazhdoi studimet pasuniversitare në shkollën “Kryqi i Shenjtë” në Boston. Në vitin 1998 u shugurua ipeshkëv dhe më 20 qershor të po atij viti u zgjodh Mitropolit i Korçës.
Vëllazëria monastike e Manastirit të Shenjtë të Bigorskit, e udhëhequr nga Jerondi Shënjtëria e Tij, Ipeshkvi i Antanisë, Imzot Parteni, i drejton urimet më të përzemërta Kryepiskopit të sapozgjedhur të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Joanit. I lutemi Zotit të Gjithëmëshirshëm që ta forcojë dhe ndriçojë në këtë mision të lartë dhe të rëndësishëm baritor, t’i dhurojë fuqi shpirtërore, urtësi dhe dashuri, që ta drejtojë Kishën e Shenjtë, që i është besuar, në shtegun e Ungjillit. U bëftë e bekuar dhe frytdhënëse shërbesa e tij kryepiskopale dhe emri i tij u shkruaftë ndër barinjtë e denjë të Kishës së Shenjtë Orthodhokse. Me dashurinë e vëllazërisë në Krishtin, gëzohemi për zgjedhjen e tij dhe lutemi për të, për grigjën e tij dhe për gjithë Kishën Ortodokse në Shqipëri. Në shumë vite të bekuara!