I njishëm me një lule

E sheh atë lule? Sa e bukur që është dhe sa të tërheqin ngjyrat e saj, freskia e saj dhe aroma e saj. Gëzim vërtet për sytë dhe kënaqësi për nuhatjen! Eshtë pa shpirt e megjithëkëtë, të bën të qëndrosh, ta shikosh dhe të duket që është plot shprehje. Medet! Nesër nuk do të jetë më. Ndoshta gjer në darkë, fletët e saj do të jenë përkulur të vyshkura dhe kjo bukuri, e cila në mëngjes të ka prekur aq shumë, do të jetë zhdukur si avulli.
I dashur këndonjës, pse e harron? Një gjë e tillë është edhe jeta e jonë, edhe pozita e jonë, edhe bukuria e jonë, edhe influenca e jonë, madje dhe tërë lavdia e jonë. Ajo lule e bukur, e njomë dhe jetëshkurtër është emblema shprehëse e jetës së njeriut, e lavdisë së tij, e fuqisë së tij. Edhe për atë nuk mund të dimë se ç’mund të ngjasë prej një dite në tjetrën. Dhe s’është gjë e zorshme që, papritur, vetëm me një hap dhe vetëm me një moment, të kërcejë njeriu nga kulmi i lavdisë në shkallën më të ulët të mjerimit, në të thellat më të errëta të varrit. Si lulja. Sibari. Si bima e njomë. Që nga një ditë në tjetrën. Po! S’dëgjon ç’të thotë i dituri Solomon? “Mos u mburr për të nesërmen, sepse s’di ç’mund të të pjellë dita që vjen(Proverba 27.1).

Çdo gjë që të kesh sa mban dita e sotme, mund të mburresh për të. Nesër? Mundesh të mos jesh i gjallë, mundet që lavdia të të ketë shpëtuar nga dora. Në je pasanik, kujton se është e vështirë të gdhihesh i varfër? Dhe në je i shëndoshë, kujton se është e vështirë të gdhihesh i sëmurë për vdekje? Në je i fuqishëm, kujton se është zor të gdhihesh në burg? Ose ç’gjë më në fund nga sa janë në këtë botë, mund të mbetet e palëvizur dhe e qëndrueshme saqë kur ta shtiesh mirë në dorë, të jesh i sigurt se do ta mbash përgjithmonë? Mos u mburr, pra, “për të nesërmen, sepse nuk e di ç’të pjell dita që vjen”.

Me këto fjalë të urta i dituri Solomon ka dashur të na thotë: Mos e siguroni mburrjen dhe për ditën e nesërme. Sepse, nuk mund të dini që më përpara se ç’u rezervon dita e nesërme. Nuk mund të dini se ç’do pjellë ajo për gjithsecilin nga ju. Edhe së, atë që kini sot, s’është ndonjë gjë e zorshme që nesër ta humbisni.

Si pra? Të mburrem vetëm për ditën e sotme dhe të pres ardhjen e së nesërmes që të mburrem edhe për të? Jo! Por, të mburresh aq sa të lejon mendimi, të cilin duhet ta kesh të rrënjosur thellë në shpirt, se ato gjëra, për të cilat ti mburresh dhe të ngrihen trutë përpjetë, janë të përkohshme, janë kalimtare. Them të mburresh aq sa të lejon mendimi që, atë gjë për të cilën mburresh sot, mundet nesër të mos ta kesh. Dhe nëse ky mendim zë vend përgjithnjë në veten tënde, sa serioz, sa i matur po dhe sa i përulur do të bëhesh!

Jeta Kristiane, Viti i V-të, Nr. 6, gusht 1944.