A vetëm pesë veta janë fajtorë?

Në ditët që kaluan, shoqëria jonë, për fat të keq ka rënë në errësirë, me lajmin e rëndë për një errësirë të tmerrshme shpirtërore. Të gjithë ne kuptuam për vrasjen brutale të një burri të moshuar të ndershëm dhe një qengji të pafajshëm të Zotit, një vajze të pafuqishme 14-vjeçare. E cili njeri normal mund të rrinte indiferent ndaj një lajmi të tillë, të mos shqetësohej dhe tmerrohej nga një akt i tillë satanik?! Thjesht, çdo shpirt njerëzor është i mbushur me hidhërim dhe pikëllim për një krim kaq të egër. Dhe për të cilin sigurisht që kërkohet përgjegjësi. Kërkohet fitorja e drejtësisë. Është e natyrshme për shpirtin njerëzor që të mundohet për drejtësi. Jo drejt urrejtjes, jo drejt hakmarrjes, por drejt drejtësisë. Sepse një nga vetitë e Krijuesit tonë është drejtësia. ,,Drejtësia dhe sundimi i së drejtës janë bazamenti i fronit të Tij”, thuhet në Shënimet e Shenjta.

"Kiss of Judas" by Giuseppe Diotti, 1840
“Kiss of Judas” by Giuseppe Diotti, 1840

Pra, duke pasur një ndjenjë të natyrshme drejtësie, pyetja njeriut i lind natyrshëm: Si dhe pse u lejua një gjë kaq e tmerrshme? Jo vetëm cila është arsyeja (nëse mund të ekzistojë një arsye dhe logjikë për një vepër të tillë marrëzie), por cila është ose çka është gjeneza që çoi deri aty? Autoritetet e sigurisë dhe ndjekjes penale të shtetit kanë konfirmuar se autori kryesor i krimit të rëndë është një sociopat i njohur me patologji kriminogjene, për të cilin disa media thanë se ishte ,,politikan”, ,,gazetar”, ,,sipërmarrës”, ,,patriot” etj. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e dhimbshme, ku përvëlon vapa e ndjenjës së drejtësisë. Pse jemi mësuar që kriminelëve të tillë t’u lejojmë një hapësirë publike në shoqërinë tonë? Pse kaq gjatë tolerojmë dëmtues të tillë të përhapin lloj-lloj urrejtjeje, të përhapin fyerje e shpifje të ndryshme, të shprehin hapur kërcënime të ndryshme, duke përfshirë edhe vrasjen?! Pse njerëz të tillë dekadentë bëhen shembuj për tu ndjekur, shembuj të cilët bëhen idhuj?Pse duhej të prisnim që të ndodhte një krim kaq i tmerrshëm para se të kthjelloheshim dhe të fillonim të kërkojmë masa? Dhe tani, ku ta kërkojmë përgjegjësinë, sepse pikërisht nga ajo mjegull e imponuar heshtjeje dhe fshehjeje në gjithë shoqërinë tonë me dekada të tëra, nuk mund të shohim rrezet e drejtësisë? As pse-të e mëparshme dhe as çështja e përgjegjësisë nuk duhet të bëjë që t’i drejtojmë gishtin askujt në veçanti, por përgjegjësia bie, pak a shumë, mbi të gjithë ne. Të gjithë jemi përgjegjës për shkatërimin e shoqërisë. Prandaj, është mirë që të gjithë të fillojmë duke rregulluar veten. Në të njëjtën kohë, inkurajojmë hapur institucionet dhe individët që të mos heqin dorë nga lufta për një të nesërme më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë, por të qasen me besim, se nëse jemi këmbëngulës në të mirën, ajo do të sundojë patjetër. Çdokush mund të kontribuojë, brenda mundësive dhe kompetencave të tij, dhe sigurisht, përmes sistemit ligjor, moral dhe etik.

Ndër të tjera, një nga obsesionet kryesore të vrasësit të treguar gjatë 2-3 viteve të fundit ishte pikërisht Jerondi dhe babai ynë shpirtëror, peshkopi z. Parthenij dhe nëpërmjet tij e gjithë bashkësia jonë monastike, si dhe disa njerëz, miq, vëllezër dhe motra tona. Sa fyerje, kërcënime dhe fjalë neveritëse dëgjuam nga ai njeri i tmershëm dhe disa nga të njohurit e tij! Madje edhe thirrje të hapura për dëbim, rrahje dhe varje. Edhe përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes kontakteve personale. Filluam të ndiheshim të kërcënuar, të rrezikuar, të jetonim në pasiguri, në agoni. Dhe flisnim, shkruanim, apelonim që të merren masa që të mos ndodhte diçka më e tmerrshme, por, fatkeqësisht, thirrjet tona nuk u dëgjuan nga shoqëria jonë. Pa dyshim, ne të krishterët jetojmë me kryqin dhe në përulësi. Por ka kufij, të cilët, të ndërlidhur me ligjet e rregullimit shoqëror, nuk duhet të tejkalohen. Vërtet e kemi të vështirë që edhe tani, gjatë analizave të krimeve të përbindëshit të parë të dyshuar, nuk potencohen edhe vuajtjet të cilave iu nënshtruan edhe njerëzit e kishës, diçka që u krye përmes fushatës jashtëzakonisht negative dhe të pavërtetë, e cila ndër të tjera u mbështet nga një faktor i huaj, i njohur për nismat dhe lëvizjet e tij destruktive që shkatërrojnë përparimin e vendit tonë drejt kushteve më të mira të jetesës. Dhe nuk është e tmerrshme që ne ishim një objektiv i vazhdueshëm sulmesh. Gjëja e tmerrshme është se u lejua që një vajzë të pafajshme të vritet në kulmin e rinisë së saj. Por këtu ka edhe një çështje tjetër etike. Çka me ata bashkëpunëtorë të atij vrasësi të demonizuar – mes të cilëve, për fat të keq, ka edhe persona të caktuar nga rrethet kishtare, të cilët e mbështetën në të keqen e tij, i dhanë informacione shpifëse, e inkurajuan në mënyra të ndryshme për punë satanike – shpifje dhe urrejtje? A do të ketë përgjegjësi edhe për ta, apo thjesht do të lejojmë që kanceri i së keqes të përhapet më tej në shoqërinë tonë? A do të lejojmë që përgjegjësinë për kulmin e së keqes ta mbajë vetëm antagonisti kryesor, dhe jo edhe ata që urdhëruan sulmet, që ndezën atmosferën, që në fshehtësia dinake motivuan? Sepse kur dobia e atij personi kryesor negativ të ketë mbaruar, ata, organizatorët, po aq, nëse jo më shumë, me përvojë në urrejtje dhe shpifje, do të nisen në gjuetinë e tyre grabitqare dhe do të bashkohen me një aleat të ri në të keqen. Ja, jo shumë kohë më parë, kishim një shembull me ekspozimin publik të veprimtarisë shpifëse dhe zhvatëse të një portali, pronari i të cilit kapërceu çdo kufi të mirësjelljes dhe etikës, kur me gënjeshtra dhe insinuata shkatërroi të tashmen, të ardhmen dhe dinjitetin e shumë individëve, vetëm për të përfituar të mira materiale. Institucionet shtetërore, siç u ka hije, vepruan dhe pastruan plagën, por fatkeqësisht infeksioni mbeti aty, sepse autorët e krimeve verbale mbeten të pagjetur edhe sot e kësaj dite.

Shteti, institucionet, masa intelektuale, organizatat dhe komunitetet e ndryshme, në fakt të gjithë ne, duhet të ndërtojmë një sistem që do të sanksionojë dhe refuzojë menjëherë politikanët, sharlatanët, patriotët e rremë, shpifësit dhe mbjellësit e urrejtjes. Midis tyre, do të përsërisim, ka nga rrethet kishtare, të cilët shoqëria, shteti, populli dhe para së gjithash vetë Kisha duhet t’u kërkojë llogari. Kujtojmë, disa nga klerikët e kishës, si dhe disa ,,besimtarë”, morën pjesë aktivisht në përhapjen e patriotizmit të rremë dhe ndërtimeve kërcënuese, plot gënjeshtra dhe trillime, që u përhapën përmes daljeve publike të të dyshuarit kryesor për vrasjen monstruoze. Madje edhe e ndihmuan të hapte degët e veta në disa qytete, në mënyrë që përmes fushatës për të ,,shpëtuar” Kishën, të fitonte më shumë shikueshmëri dhe një vlerësim më të lartë politik.

Në fakt, është koha që secili prej nesh së pari të fillojë prej vetes – që secili prej nesh t’i mbyllë dyert e zemrës së tij ndaj çdo të keqeje, ligësie, zilie dhe urrejtjeje, sepse, ndërsa ne ngopemi me shpifje dhe fjalë të këqia ndaj kujtdo, bëhemi bashkëfajtorë në vrasjen e shpirtit të pafajshëm të dikujt. Para së gjithash për shpirtrat e pastër të fëmijëve tanë dhe çdo individi.

Shoqëria jonë ka kohë që ka nevojë për një reformë vlerash, ose më mirë një kthim në vlera. Le të fillojmë tani, sepse jeta e fëmijëve tanë dhe e çdo individi është e vlefshme për ne.