(video) Kremtohet  Lartësimi i Kryqit në Qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit

Ejani njerëz, duke parë mrekullinë më të lavdishme, t’i përulemi fuqisë së Kryqit, sepse druri në parajsë prodhoi vdekjen; por nga ana tjetër, na lulëzoi jetën, duke pasur të gozhduar në vete Zotin e pamëkat, prej të cilit, duke marrë mosprishjen, të gjithë thërrasim: Për ty që e shkatërrove vdekjen me kryq dhe na lirove, lavdi më Ty.

(Stihira nga akti i nderimit të Kryqit të Shenjtë)

Sot në qiellin shpirtëror shkëlqen si triumfues Kryqi i lartësuar i Zotit, i cili vulosi gjithëpushtetshmërinë e Krishtit dhe clirimin e njeriut nga vdekja. Zotimi i fitores dhe lumturisë sonë! Arma jonë, lavdërimi dhe lavdia! Kremtimi i Kryqit të ndershëm dhe jetëdhënës është një mister i madh dhe i thellë i Kishës. Kryqi është dëshmia më e madhe e dashurisë vetëmohuese të Perëndisë, e cila shndërron dhe sjell paqe, forcë dhe gëzim në zemrat tona. Nga humnera e errësirës më të thellë na nxori në dritën e përjetshme, nga vdekja na solli në jetën e përjetshme, nga të shkatëruar na bëri të përjetshëm. Nëpërmjet Kryqit ne shijuam fuqinë e dashurisë, duke mësuar veten të japim jetën për të tjerët. Kryqi është predikim dhe besim në Ngjallje, jetë në Mbretërinë e ardhshme të Qiellit. Asgjë nuk është më e çmuar se Kryqi dhe asgjë më shpëtimtare se ai.

Kjo është arsyeja pse festa e tij është kremtuar në Kishë që nga kohra të lashta me solemnitet të madh dhe fokusi kryesor i kremtimit të tij të ndritshëm është në Qytetin e Shenjtë, ku qe lartësuar Biri i Perëndisë, për shpëtimin e atyre që do të besojnë në Të. Lumenj besimtarësh dhe priftërinjsh nga e gjithë bota kanë vërshuar gjithmonë në këtë festë të madhe të Zotit në Jerusalem për tju falur Pemës së Jetës e cila e rihapi Parajsën.

Dhe ja, edhe ne, mëkatarëve dhe të padenjëve, ai bekim i madh jetësues dhe gëzimprurës që rrezaton nga Kryqi i Shenjtë, na ftoi dhe na nderoi, si Shën Maria e Egjiptit, t’i përulemi dhe ta kremtojmë kujtimin e tij të lavdishëm, pikërisht në vendin ku ndodhi Lartësimi i tij në Tempullin e Mundimeve dhe Ngjalljes së Krishtit. Sot, mijëra besimtarë nga e gjithë bota u mblodhën në atë vend të tërëshenjtë në Tokë, për të festuar së bashku me episkopët dhe priftërinjtë, armën e paqes, fitoren e pamposhtur”. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Patriarku i Jeruzalemit z. z. Theofil, i cili bashkëmeshoi me episkopë të tjerë, duke përfshirë dhe jerondin tonë të dashur, Episkopin e Antaniskit, z. Parthen. Për herë të parë pas shumë shekujsh, një episkop i Kishës sonë, i Kryepiskopatës së shenjtë të Ohrit, u vlerësua të mbajë Kryqin e Shenjtë mbi krye, duke dërguar një bekim të katërfishtë nga të katër faqet e drurit të cmuar për të gjithë komunitetin e kësaj kishe. Së bashku me hierarkët e shenjtë meshuan edhe dhjetëra arkimandritë, hieromonakë dhe priftërinj nga vende të ndryshme të botës, midis tyre Arkimandriti Dhosithei nga Bigorski dhe hieromonakët Kiril dhe Anatol. I pranishëm ishte edhe vëllai ynë, murgu i palodhur Averki.

Kremtimi filloi me një lutje të përbashkët nga episkopë dhe priftërinj të Patriarkanës së Jerusalemit, të udhëhequr nga Fortlumturia e Tij Patriarku z. z. Theofil, në Tempullin e Tërëshenjtë të Ngjalljes, ku u kremtua Liturgjia Hyjnore. Pas përfundimit të Eukaristisë, pasoi një litani solemne në vendin ku Perandoresha e Shenjtë Elena gjeti Kryqin e Shenjtë, dhe prej andej në Golgotha dhe përsëri në tempull. Patriarkana e Jeruzalemit nderoi Jerondin dhe Episkopin tonë z. Parthen, duke u vlerësuar të mbante Drurin e Kryqit Jetëdhënës mbi kryet e tij.

Pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, episkopët dhe priftërinjtë u pritën në një pritje solemne në Sallën e Fronit nga Fortlumturia e Tij Patriarku z. z. Theofil, ku të gjithë e uruan me gëzim njëri-tjetrin. Me rastin e festës, si dhe në shenjë miqësie dekadash, Mitropoliti i Vostrës z. Timothe, eksarku i Patriarkanës së Jeruzalemit në Qipro, i dhuroi Jerondit tonë një engolpion të çmuar episkopal.

Kryqi në vetvete përmban energjinë e pakrijuar të Zotit, për shkak të Atij që u kryqëzua mbi të. Ajo energji është shpëtimtare për ata që besojnë në të Kryqëzuarin dhe pranojnë jetën e kryqit, dhe humbëse për ata që mohojnë Kryqin dhe Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht. Apostull Pavli e përkufizon me saktësi këtë: fjala Kryq është marrëzi për ata që po humbasin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë (1 Kor. 1,18). Ky përkufizim për Kryqin e Krishtit, të dashurit e mi, funksionon me fuqi të plotë edhe sot e kësaj dite. Çfarë do të thotë në të vërtetë fjala kryq? Do të thotë dëshmi dhe shprehje e fuqishme e dashurisë së përsosur të Perëndisë, e sakrificës më të madhe të dashurisë që Perëndia mund të bënte për ne, njerëzit.

— Jerondi dhe episkopi z. Parthen i Antaniskit

Ti je mbulesa ime e fortë, Kryqi i gjithë shenjtëi Krishtit! Më shenjtëro me fuqinë tënde, që me besim dhe dashuri të të përkulem dhe të përlëvdoj.
(Stihirë Litike për festën)