Të kujdesemi për farën e kulturës Hyjnore

Fjala e Lartëshenjtërisë së Tij, Peshkopit Antaniski z. Parthenij, Abati i Familjes së Shenjtë Bigorski, thënë në Liturgjinë e Shenjtë pas leximit të Shëmbëlltyrës Ungjillore për Mbjellësin, më 30 tetor viti 2022, vera e Shpëtimtarit


Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë!

Zoti Perëndi, të dashurit e mi, krijoi njeriun që të ushqehet dhe të jetojë përgjithmonë. Është më se e qartë për të gjithë ne që nëse nuk ushqehemi me ushqim që i nevojitet trupit, biologjikisht do të vdesim. Pikërisht e njëjta gjë vlen edhe për ekzistencën e përjetshme: që të mund të ekzistojmë me ekzistencën e përjetshme, është e nevojshme të ushqehemi nga Zoti i përjetshëm. Kur Krijuesi i pafilluar krijoi njeriun dhe e vendosi në Kopshtin e Edenit, ai krijoi edhe ushqim të përshtatshëm për të. Në faqet e para të Librit të Krijimit Hyjnor, lexojmë: Ja, unë ju dhashë të gjitha llojet e bimëve që japin fara në mbarë tokën dhe çdo pemë që ka farë në vetvete sipas llojit të saj; duhet të jetë për ushqimin tuaj (Zanafilla 1,29). Ekzistonte vetëm një pemë, pema e dallimit të së mirës dhe së keqes, nga e cila njeriu nuk duhej të hante pa aprovimin e Zotit.

Peshkopi Z. Parthenij, Abati i Manastirit të Shenjtë Bigorski

Gjithahstu, njeriu ushqehej nga bashkësia e përjetshme – me Zotin: Krijuesi i gjithë krijimit erdhi në Edeni, për të folur ballë për ballë me krijimin e Tij. Sidoqoftë, siç e dimë, kur Adami dhe Eva thyen urdhërimin e vetëm, atëherë ata iu nënshtruan gjësë më të tmerrshme – vdekjes. Ai që u krijua për të jetuar përgjithmonë, në gëzimin e fytyrës së Zotit – vdiq, shpirtërisht dhe biologjikisht.

Ajo që duhej ishte një ilaç jetëdhënës, një ushqim jetik që do të ringjallte të vdekurin dhe do t’i rivendoste homeostazën psikosomatike, bukurinë e tij origjinale. Një ushqim i tillë qiellor na erdhi i mishëruar në Njeriun Zot Jezu Krisht, siç dëshmon Ai vetë në Ungjillin e Tij: ,,Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është trupi im, që unë do ta jap për jetën e botës.” (Gjoni 6,51).

Megjithatë në Ungjillin e Shenjtë të sotëm, ruajmë shëmbëlltyrën për fjalën e Perëndisë të paraqitur si një farë frytdhënëse. Fillimi i tij i thjeshtë është koxha mbresëlënës: Një mbjellës doli për të mbjellë farë (Luka 8,5). Doli. Nga ku doli? Nga ku erdhi ai Mbjellës Hyjnor në këtë botë? ,,Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati.” (Gjoni 16,28) – u tha dishepujve Zoti Jezu Krisht para se të dorëzohej në tortura dhe kryqëzim. Ai është Mbjellësi që mbjell farën e Tij të fisnikërisë, madhështisë dhe bukurisë; Ai është Fjala që u bë ushqim i përjetshëm për secilin prej nesh. Fara e tij duhet të rritet në ne, që të japë fryt dhe të japë jetë, të jetë detyra jonë për përjetësinë. Ai është Fjala jetëdhënëse që buron nga Ati dhe që u mishërua nga Virgjëresha e Papërlyer, me qëllim që mbi botën të derdhet  si ujë i gjallë për ringjallje dhe jetë të përjetshme. A ju kujtohet çfarë i tha Zoti gruas samaritane afër burimit të Jakobit, kur ajo, e habitur, e pyeti Atë se çfarë uji mund jetë ai nga mund të pijë një njeri dhe të mos ketë kurrë etje? ,,Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje; por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.” (Gjoni 4,13-14).

Zoti Jezu Krisht, pra, është buka e gjallë dhe uji i gjallë, prej të cilave ai që ha dhe pi nuk do të vdesë, por do të jetojë. Para dhe mbi gjithçka, Ai është ushqimi i përditshëm i njeriut. Si  lutemi çdo ditë në lutjen ,,Ati ynë”? Na jep bukën tonë të përditshme sot. Buka që na duhet aq shumë, është thelbësore, e nevojshme, që të kemi jetë në vetvete. Sepse, njeriu në thelb është i gjallë vetëm kur ka në vete Fjalën e Zotit, e cila doli, e zbrazi veten nga Hyjnia, u përul dhe u bë njeri. Sigurisht, ai mbeti Zot, por megjithatë, me trup u bë edhe njeri. Sepse Zoti i përsosur u bë Njeri i përsosur, për të përsosur njerëzimin e rënë. Dhe ja ku është  Ai tani, duke mbjellë farën e Tij të dashurisë, mirësisë, gëzimit, haresë…, duke u folur njerëzve nëpërmjet Ungjillit të Tij, nëpërmjet Kishës së Tij. Dhe Ai, si i vetmi që njeh zemrat, e di se sa njerëzit e marrin fjalën e Tij në zemrat e tyre. Prandaj ai ia tregoi këtë shëmbëlltyrë, për të kujtuar se fjala e Zotit mbillet te të gjithë, por jo te gjithë gjen një tokë pjellore.

Peshkopi Z. Parthenij, Abati i Manastirit të Shenjtë Bigorski

E shihni, zemrat më të pandjeshme ai i barazon me tokën e fortë, të shkelur buzë rrugës, e cila as farën nuk do ta marrë fare. Ajo përfaqëson ata që nuk kanë asçfarë ndjenje për gjërat e Perëndisë dhe janë mpirë aq për brenda sa nuk duan as të dëgjojnë për diçka të bukur dhe sublime. Të tjerët disi e marrin, por më pas, për shkak të tundimeve, shqetësimeve dhe kënaqësive të shumta të këtij shekulli, nuk janë të durueshëm dhe dorëzohen. Dhe së fundi, ai na tregon tokën e mirë, e cila mori farën, e rriti atë në vetvete dhe kur mbiu, dha fryt njëqindfish. Dhe më pas, i pyetur nga dishepujt për domethënien e shëmbëlltyrës, Krishti shton: Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (Luka 8:8,15).

Të dashur të mi, fara që Zoti ka mbjellë tek ne është e paçmim. Në Ungjill, Zoti Jezus tregon një shëmbëlltyrë tjetër, për një tregtar, i cili kërkon margaritarë të bukur; Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen. (Mateu 13:45-46). Ai margaritar është pikërisht fjala e Zotit, se nuk ka asgjë më të bukur dhe më të ëmbël, asgjë më të pastër dhe fisnike. E kultivuar në ne me kujdes dhe dashuri, fjala e Perëndisë do të japë fryt njëqindfish, me frytin e Shpirtit të Shenjtë, që është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, fisnikëria, mirësia, besnikëria, butësia, vetëkontrolli (Gal. 5:22-23).

E dini, termi ,,kulturë’’ vjen nga folja latine colo, që përkthyer në maqedonisht do të thotë: ,, kultivoj, punoj, rris, kujdesem, dekoroj’. Prandaj, të dashurit e mi, le ta kultivojmë fjalën e përjetshme të Zotit në tokën e zemrës sonë, që ajo të bëhet një tokë pjellore që do të na rritë si banorë të Qiellit. Le të jemi bujq të kulturuar të kulturës Hyjnore, për shpëtim dhe për jetë të përjetshme.

Amin!