Le të përpiqemi për dhuratat e Shpirtit të Shenjtë

Fjala e Lartëshenjtërisë së Tij, Peshkopi Antaniski z. Parthenij, për festën e Rrëshajëve, thënë në Liturgjinë e Shenjtë, më 5 qershor viti 2023, në verën e Zotit


Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë!

Të dashurit e mi, kaluan pesëdhjetë ditë nga Pashka e Shenjtë, nga Ringjallja e Krishtit, dhe në këtë ditë të pesëdhjetë, në Rrëshajë të Shenjtë, ne kremtojmë zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt – një ngjarje me rëndësi thelbësore në planin e Perëndisë për shpëtimin dhe hyjnizimin e njeriut. Në fakt, me këtë festë plotësohet ai plan hyjnor, sepse me të themelohet Kisha e Shenjtë.

Zbritja e Shpirtit të Shenjtë u bë në përputhje me premtimin që Zoti Krisht u dha apostujve, përpara nisjes së Tij në vuajtje vullnetare – gjegjësisht se Ai do t’u dërgonte atyre një Ngushëllues tjetër, Shpirtin e së vërtetës: Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.(Gjoni 15,6). Premtimin e njejtë Ai u konfirmoi kur u ringjall, para Ngjitjes së Tij: Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni premtimin nga Ati që keni dëgjuar nga unë…

Ju do të merrni fuqi nga Shpirti i Shenjtë, i cili do të vijë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarët e Mi në Jerusalem, në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e tokës (Veprat :4,8). Dhe në të vërtetë, pesëdhjetë ditë pas Ringjalljes së Tij të lavdishme, Krishti dërgoi te dishepujt e Tij, me të cilët, natyrisht, ka qenë gjithashtu më e ndershmja nëna e Tij, Shpirtin e Shenjtë, i cili zbriti mbi ta në formën e gjuhëve të zjarrit: Dhe atyre iu shfaqën gjuhë si nga flaka, që ndaheshin dhe zbrisnin një nga një mbi secilën prej tyre veç e veç. Dhe të gjithë u plotësuan me Shpirtin e Shenjtë (Veprat 2:3-4). Pas kësaj ngjarje Hyjnore, Apostujt, të mbështetur nga Shpirti, u shpërndanë në të gjithë botën e atëhershme të njohur, për të predikuar Ungjillin shpëtues me besim të pakundërshtueshëm, me urtësi hyjnore dhe me dhuratën e mrekullive.

Zoti Shpirti i Shenjtë është ndriçuesi dhe pastruesi i vërtetë. Ai zbriti mbi apostujt dhe u konfirmoi atyre se Jezusi i Ringjallur është Biri dhe Fjala e Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës dhe i frymëzoi ata me guxim për ta predikuar atë të vërtetë kudo. Në Shkrimet e Shenjta, lexojmë se dishepujt, megjithëse e panë Krishtin të ringjallur, kishin ende shumë hamendje dhe dyshime në vetvete. Por kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta në këtë ditë, Ai ua hapi sytë e shpirtit për të kuptuar shkrimet e shenjta, i ndriçoi, i mësoi të flisnin gjuhë të ndryshme, pra i fisnikëroi me energji jetëdhënëse dhe adhuruese, të cilën ne e quajmë bekim. Dhe që nga ai moment ata u bënë predikues të guximshëm, shpërndarës të bekimit të shumëfishtë të Perëndisë, themele të palëkundura të Kishës së Krishtit. Duke pasur Shpirtin e Shenjtë brenda tyre, apostujt filluan t’ua mësojnë atë të gjithë njerëzve, gjithë këshillit të besimtarëve, gjithë Kishës.

Ne thamë se në këtë ditë Shpirti i Shenjtë zbriti në formën e gjuhëve të zjarrit. Ai e bëri këtë për të treguar se ashtu si zjarri ka aftësinë të shkëlqejë dhe të pastrojë metalet e çmuara nga toka, ashtu edhe Shpirti i Shenjtë ka fuqi, në kuptimin shpirtëror, për të na ndriçuar dhe pastruar. Ky është funksioni i Tij në Kishë. Këtu është e rëndësishme të theksohet se Shpirt i Shenjtë nuk zbriti vetëm një herë dhe vetëm në atë moment të caktuar kohor mbi ndjekësit e Krishtit, por zbret vazhdimisht, duke vizituar me dashamirësi kuvendin liturgjik të besimtarëve. Festa historike e Rrëshajëve është vetëm fillimi i veprimit të Tij në Kishë. Në fakt, Shpirti i Shenjtë banon vazhdimisht në Kishën e Perëndisë. Ai është i pranishëm dhe aktiv në çdo fshehtësi të shenjtë, veçanërisht në fshehtësinë e shenjtë të Eukaristisë së Shenjtë – të cilën, meqë ra fjala, ne e shërbejmë tani në këtë tempull të shenjtë, kur i ofrojmë dhuratat dhe kur ato dhurata, bukën dhe verën, nëpërmjet fuqisë dhe veprimeve të tij, transformohen në trupin dhe gjakun e vërtetë të Krishtit, me të cilin ne shenjtërohemi.

Të dashurit të mi, Shpirti i Shenjtë e ka mbushur Kishën, që ne të përmbushemi me Të. Ky është qëllimi i vetëm i ekzistencës sonë në Kishë: të përpiqemi me gjithë jetën tonë për të fituar Shpirtin e Shenjtë. Shën Serafim Sarovski thotë: ,,Qëllimi i jetës sime është të fitoj Shpirtin e Shenjt’’. Në fund të fundit, ky është qëllimi i çdo njeriu të krijuar nga Perëndia. Ne të krishterët kemi atë bekimin e Perëndisë që të jemi në gjendje të fitojmë Shpirtin e Shenjtë, në mënyrë që më pas t’ia dorëzojmë botës. Sepse, vetëm Shpirti i Shenjtë e bën një person real, autentik, ashtu siç u konceptua dhe u krijua fillimisht nga Zoti Krijues. Ai e bën njeriun të plotë, sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit. Vetëm njeriu i mbushur me Shpirtin e Shenjtë është një njeri i gëzuar. Këtë më së miri e shpjegon Apostulli i Shenjtë Pavlle, i cili rendit si frytet më të rëndësishme të Shpirtit si: dashurinë, gëzimin, paqen, durimin, ëmbëlsinë, mirësinë, besnikërinë, butësinë, vetëkontrollin (krh. Gal. 5:22 -23). Këtu janë karakteristikat e atij që ka marrë Shpirtin e Shenjtë. Ndër të tjera, shohim se një person i tillë është i butë, i mirë dhe i mëshirshëm, plot dashuri. Pra, Shpirti i Shenjtë është Ai që e vendos njeriun në plotësinë dhe bukurinë e tij origjinale, që të jetë i ngjashëm me Krijuesin e tij.

Rrjedhimisht, Shpirti i Zotit ndërmjetëson që njeriu të shpërfytyrohet dhe të bëhet njeri i mirë dhe i përsosur. Shkenca dhe teknologjia, rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale, e cila tashmë i kalon kufijtë e normales, nuk do të na bëjnë njerëz më të mirë dhe më të lumtur. Nëse këto gjëra mund ta përmirësonin njeriun, sot nuk do të kishim të keqen, luftërat, gjakderdhjen, melankolinë, depresionet dhe pakënaqësinë. Përkundrazi, duket sikur e keqja është shumuar te njerëzit. Për më tepër, kufiri midis realitetit dhe virtualitetit po bëhet gjithnjë e më i hollë. Jeta bëhet imagjinata jonë. Njerëzit nuk jetojnë më një jetë autentike, por një lloj simulimi jete. Kjo nga ana tjetër sjell, për fat të keq, që shpirtërorja e njerëzve të bëhet një simulim.

Ne të krishterët duhet të kemi kujdes veçanërisht nga ky rrezik, i cili është fatal për shpirtin njerëzor. Jemi thirrur të jemi drita e botës dhe prandaj duhet të përpiqemi me maturi të madhe për të fituar dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, dhe të ndriçuar e të udhëhequr prej Tij, për të përhapur ngrohtësinë dhe dritën e Tij, si apostujt. Thamë se Shpirti i Shenjtë i jep njeriut guximin dhe aftësinë për të bërë vepra të mira. Ai për Zotin bën që edhe të pamësuarit, të pashkolluarit të bëhen gjuetarë të ndritur dhe të urtë të shpirtrave njerëzorë. ,,I bekuar je, o Krisht, Perëndia ynë, që i tregove të zgjuar peshkatarët, kur u dërgoi Shpirtin e Shenjtë dhe me anë të tyre ai pushtoi gjithësinë” – këndojmë në troparin e Rrëshajëve. Një peshkim i tillë shpirtëror për Zotin nuk u ndal në kohët apostolike, por vazhdon me të njëjtën energji edhe sot në Kishën e Zotit. Dhe në kohën tonë, Zoti Shpirti i Shenjtë tregon disa ,,peshkatarë të mençur” që qetësojnë dhe fisnikërojnë mijëra shpirtra. Le t’i hedhim një sy shekullit të kaluar: një pjesë e madhe e atyre që janë cilësuar si shenjtorë vitet e fundit nuk ishin teologë me diplomë apo njerëz jashtëzakonisht të ditur, por mbi të gjitha persona të Shpirtit të Shenjtë.

Të gjithë ju keni dëgjuar dhe lexuar për Jerondët e shenjtë Paisij, Porfirij, Jakob Callikis dhe të tjerë. Shumë vepra dhe jetë të tyre janë përkthyer në gjuhën maqedonase. Ata ishin murgj të thjeshtë, jo shumë të ditur në shkencat e kësaj bote, por prandaj, ishin mjeshtër dhe doktorë të vërtetë të mësimeve më të urta Hyjnore. Vetëm shikoni se çfarë bëri Shpirti i Shenjtë ndriçues nëpërmjet tyre! Një vepër e madhe apostolike! Dhe ai e bëri, sepse ata e lejuan Atë të vepronte nëpërmjet tyre, ata u bënë enët dhe përcjellësit e Tij. Nëpërmjet pendimit, nëpërmjet ngritjes, sakrificës, lutjeve, bamirësisë.

Të dashur të mi, pikërisht këtë duhet të përpiqemi të bëjmë edhe ne: të fitojmë Shpirtin e Shenjtë. Para së gjithash, le t’i kërkojmë falje, sepse askush prej nesh nuk është i denjë të jetë vendbanimi i Tij. Ne nuk jemi të denjë, por nëse i afrohemi Atij me përulësi dhe me dëshirën për të qenë pjesëmarrës të Tij, atëherë Ai do të vijë e do të vendoset në zemrën tonë, do të fillojë të na pastrojë nga mëkatet tona dhe të na ndriçojë. Prandaj, sot në këtë festë të madhe, le të pendohemi për gjithçka që kemi bërë gabim në jetën tonë, le të hapim zemrat tona, që në to të vijë Ai, Shpirti Ngushëllues, Shpirti i së vërtetës, që do të na japë dashuri, gëzim, paqe, durim, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, përmbajte.

Amin!