E Premtja e Pastër

E premte. Fundi i javës së parë. Dhe kur sonte dielli të perëndojë pas Bistrës, do të mund të themi: kaluam. Me ndihmën e Perëndisë, me lutje, me luftë të tendosur dhe me durim. Java e parë e Kreshmës së Madhe – më e rrepta dhe më e vështira – është pas nesh. Por jo pas nesh si e kaluar, por brenda nesh, si themel mbi të cilin do të ndërtohet gjithçka që vjen.

Himnografia e së Premtes së Pastër është e mbushur me Kryqin.

“Me Kryqin Tënd hyjnor i vrave pasionet e mishit tim;.me Pasionin Tënd u dhe liri nga pasionet të gjithë njerëzve..Bëjmë të denjë, o Zot, të shoh Ngjalljen Tënde të shenjtë.”

Këtu është misteri i së premtes: ajo është dita e Kryqit, por Kryqi gjithmonë shikon drejt Ngjalljes. Nuk ka Golgotë pa varr të zbrazët. Nuk ka të premte pa të diel.

Kjo e premte sjell edhe dhuratën e saj: Liturgjinë e dytë të Dhuratave të Parashenjtëruara, Kungimin e dytë pas agjërimit treditor – tani pesëditor – të vëllezërve dhe besimtarëve. Tempulli u mbush sërish me shpirtra të etur për Kupën e Jetës, si dëshmi se podvigu i kësaj jave nuk ishte i kotë.

Por himnografia nuk lejon vetëkënaqësi:

“Rashë në gjumin e rëndë të mëkatit nga pakujdesia; por Ti, o Krishti im, që për mua fjetë mbi Kryq, më zgjo, që të mos më arrijë nata e vdekjes.”

Krishti “fjeti” mbi Kryq – domethënë vdiq – që të na zgjojë nga gjumi i mëkatit. Vdekja e Tij është zgjimi ynë. Fjetja e Tij është agimi ynë.

“Natëa ka kaluar, dita u afrua! Drita Jote i shkëlqeu botës!”

Në këtë rreptësi kryqore, Kanoni zbulon bukuri të papërshkrueshme:

“I kurorëzuar me ferra dhe i veshur me purpur, o Krisht,.Ti shkëlqeve me lavdi, duke i tejkaluar në bukuri të gjithë bijtë e njerëzve.”

Misteri i Kryqit: edhe pse i përulur, Krishti është më i bukuri. Nëse pranojmë këtë logjikë – se forca përsoset në dobësi – atëherë edhe agjërimi ynë i vogël bëhet i bukur para Perëndisë.

“Le ta pranojmë shpalljen e Agjërimit me gëzim!

Sepse po ta kishte nderuar Adami agjërimin, nuk do të ishim privuar nga Parajsa. Fruti që na vrau ishte i bukur për t’u parë dhe i mirë për t’u ngrënë; të mos mashtrohemi nga sytë.”

Vetëm Krishti është ushqimi i përjetshëm. Vetëm pendimi jep fryt që nuk kalon.

“Të vulosemi me Gjakun e Atij që për ne u çua vullnetarisht në vdekje, që shkatërruesi të mos na prekë; dhe kështu të shijojmë Pashkën e shenjtë të Krishtit.”

Gjaku i Qengjit – dikur mbi pragjet në Egjipt, sot mbi buzët tona në Kungim – na ruan.

Mbrëmësorja përkujton edhe Shën Teodor Tironin, i cili shpëtoi popullin nga ushqimi i ndotur i përgatitur nga Juliani Apostat. Prandaj Kisha bekon kolivën – grurin e zier – si shenjë se Perëndia kujdeset gjithmonë për popullin e Tij.

Dhe kështu java e parë përfundon. Jo me bujë, por me mirënjohje të qetë. Kryqi na mbarti. Nata kaloi, dhe dita e Ngjalljes është më pranë.

Të vulosur me Gjakun e Qengjit, vazhdojmë drejt Pashkës, me zemër të thyer dhe me sy të mbushur me dritë.